Elbasan/ Nis me sfida dhe risi viti i ri shkollor

0

Viti i ri shkollor ka nisur edhe në qarkun e Elbasanit.Sipas të dhënave që mëson Infoweb Media  këtë vit ulen për herë të parë në bangat e shkollës 1164 nxënës, 148 më pak se vitin e kaluar, ndërsa në klasën e 10-të janë regjistruar 1190 gjimnazistë, 106 më pak se një vit më parë. Rënia totale e numrit të nxënësve në këtë qark llogaritet në 2.8%, ose rreth 500 nxënës më pak krahasuar me vitin shkollor 2023-2024.Shifra jo shumë shqetësuese në krahasim me bashkitë apo qarqet e tjera.

Aktualisht, numri total i nxënësve në Elbasan është 15,333, të shpërndarë në 64 shkolla, nga të cilat 57 janë publike dhe 7 private. Ndër këto, 26 shkolla ndodhen në zona urbane dhe vetëm 3 në zona rurale. Ndërsa, vetëm një shkollë private operon në një zonë fshati, me pjesën tjetër që ndodhen në qytet.

Tendenca e rënies së numrit të nxënësve është e dukshme në të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan, ku rënia varion nga 2.5% deri në 5%. Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave demografike, nxënësit, prindërit dhe mësuesit janë të emocionuar për nisjen e vitit të ri shkollor, me një ndjenjë të veçantë për ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Në Bashkinë e Elbasanit, dy shkolla tërësisht të reja do të hapin dyert këtë vit shkollor, pas rikonstruksioneve të plota që iu nënshtruan, duke ofruar kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit e tyre. Bëhet fjalë për shkollën artistike Onufri dhe gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”.Këto investime janë një sinjal pozitiv në përpjekjet për të përmirësuar infrastrukturën arsimore në qark, pavarësisht sfidave me uljen e numrit të nxënësve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu