Një konflikt i çastit në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit ka përfunduar me plagosjen e një 67-vjeçari, i cili u godit me thikë nga një 29-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së informacionit, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe duke arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin Xh. S., 29 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezulton se konflikti mes tij dhe shtetasit S. A., 67 vjeç, ka ndodhur për motive të dobëta. Gjatë debatit, i riu e ka goditur me mjet prerës (thikë), duke i shkaktuar plagë.
I dëmtuari është dërguar për mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, për akuzat “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.





