Elbasan/ Reshjet e para pas një thatësire të gjatë shkaktojnë dëme të lehta

0

Pas një periudhe të gjatë thatësire, në orët e para të mëngjesit të sotëm reshjet e para të shiut kanë përfshirë qytetin e Elbasanit dhe disa zona të tjera të qarkut. Stuhia e papritur, e shoqëruar me erëra të forta, solli jo vetëm freskim të temperaturave, por edhe disa dëme të vogla materiale.

Në qytetin e Elbasanit, reshjet zgjatën për një kohë të shkurtër, por intensiteti i tyre dhe era e fuqishme bënë që disa degë pemësh të thyhen dhe të përfundojnë në rrugë, duke penguar qarkullimin në disa segmente. Gjithashtu, janë raportuar rrëzime të vazove nga ballkonet dhe dëmtime në tendat e diellit të disa banesave dhe bizneseve.

Fatmirësisht nuk ka raportime për të lënduar, ndërsa autoritetet vendore kanë nisur verifikimet në terren për të evidentuar dëmet dhe për të ndërhyrë me pastrimet e nevojshme, në mënyrë që situata të kthehet në normalitet sa më shpejt.

Ndërkohë, strukturat e emergjencës apelojnë për kujdes nga qytetarët gjatë orëve në vijim, pasi parashikimet flasin për mundësi reshjesh të tjera në rajon.