Elbasan, viti i ri shkollor nis me 600 nxënës më pak

0

Në Bashkinë e Elbasanit ka nisur viti i ri shkollor 2025-2026, me rreth 600 nxënës më pak krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht kësaj rënieje, autoritetet vendore bëjnë të ditur se nuk ka pasur mbyllje shkollash dhe as mësues të mbetur jashtë sistemit.

Këtë vit janë regjistruar rreth 15 mijë nxënës, nga të cilët 9 mijë në zonat urbane dhe pjesa tjetër në zonat rurale. Prej tyre, 10.500 ndjekin arsimin bazë, ndërsa afro 3 mijë janë të regjistruar në arsimin e mesëm.

Ashtu si çdo shtator, edhe ky vit shkollor u hap mes emocioneve, urimeve dhe dhuratave të ndërsjella mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Ndonëse janë miratuar udhëzime të reja, kryesisht në drejtim të teknologjisë, nxënësit shprehen optimistë për rrugëtimin e tyre arsimor.

Në këtë fillimvit shkollor, ndryshime ka pasur në dy institucione arsimore. Shkolla “Fejzullah Guranjaku” është zhvendosur në ambientet e shkollës “Bardhyl Popa”, për të zhvilluar mësimin në klasa teke dhe për të liruar godinën që do t’i kalojë shkollës speciale “Zëra Jete”. Paralelisht, shkolla fillore e Shirgjanit është bashkuar me shkollën qendër në Kuqan, me kërkesë të komunitetit.

Godina e shkollës “Fejzullah Guranjaku” pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, me synim krijimin e kushteve të përshtatshme për fëmijët me nevoja të veçanta të shkollës “Zëra Jete”.