Verdheblutë duan patjetër që të lënë gjurmë këtë sezon në elitë, me drejtuesit që e kanë shprehur hapur ambicien që të jenë pjesë e “Final 4”, çka do të nënkuptonte shansin për të luajtur për titullin kampion ose të paktën të siguronte një vend për në kupat e Europës. Optimizmi në kampin verdheblu nuk mungon, pasi jo më kot kanë bërë shumë investime në merkato, duke u përforcuar në të gjitha repartet e fushës, nga porta në majën e sulmit.
RIKUPERIMET – Siç dihet, verdheblutë kanë vuajtur jo pak këtë fillim kampionati nga mungesat, ku për asnjë moment Bordin nuk e ka pasur të gatshëm skuadrën. Ndaj Laçit të enjten, elbasanasit shpresojnë që të jenë të gjithë të gatshëm, pasi lojtarët e dëmtuar kanë avancuar mirë me përgatitjet dhe janë të gjitha gjasat që të paktën të jenë në pankinë.
Nga ana tjetër, me kurbinasit verdheblutë do të kenë edhe dy forca shtesë, siç janë portieri Razak Abalora dhe sulmuesi Blaise Tsague. Edhe pse kanë mbërritur më vonë nga të gjithë, pritet të jenë pjesë e ekipit të enjten, ndaj mund të konsiderohen si dy forca shtesë në këtë përballje.
PRESIONI – Edhe pse është shumë herët për të folur për presion, në Elbasan mund të thuhet se janë në presion për fitoren ndaj Laçit. Dy rezultate radhazi pa fitore, për më tepër kur luajnë në “Elbasan Arena” janë shumë për një skuadër si Elbasani që ka pretendime. Kurbinasit janë një kundërshtar që të paktën në letër është i kalueshëm dhe në Elbasan nuk do ta pranon lehtë një tjetër rezultat negativ.
Kjo, edhe për arsyen se pikët në start janë shumë të rëndësishme sa i përket ecurisë në vazhdim, të cilat mbi të gjitha vlejnë edhe për moralin. Pas Laçit, kalendari do të vijë edhe do të “shtrëngohet”, pasi menjëherë pas tyre vjen Tirana dhe me radhë të gjitha skuadrat që kanë shprehur hapur ambicien që këtë sezon të jenë pjesë e “Final 4”. Për këtë arsye, verdhebluve nuk i lejohet më asnjë hap fals ndaj kurbinasve, për më tepër që luajnë përballë tifozëve të tyre.