Elbasani që frymon art: vogëlushja Ajshel Zykollari mahnit Italinë me zërin e saj engjëllor

0

Në një moshë ku shumë fëmijë ende luajnë me kukulla, Ajshel Zykollari nga Elbasani po ngjitet në skenat më të rëndësishme të muzikës. Vetëm pak vite jetë, por me një shpirt arti të madh, Ajshel ka nisur të këndojë që në moshën 4-vjeçare, kur talentin e saj e zbuloi profesori i njohur Liman Ternova.

Sot ajo studion piano dhe kitarë në shkollën artistike “Onufri” të Elbasanit, ndërsa zëri i saj i ëmbël e plot ndjesi ka jehuar në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Rumani dhe së fundmi në Itali, ku shkëlqeu më shumë se kurrë.

Më 7 nëntor 2025, në skenën magjike të “Teatro dei Sogni” në Rovereto, vogëlushja elbasanase rrëmbeu çmimin e parë, duke emocionuar jurinë dhe publikun me interpretimin e saj të fuqishëm në këngën “Adagio” të Lara Fabian.

E shoqëruar nga mësuesja e saj e dashur Zina Zdrrava, e cila e ka ndjekur që prej fillimeve në kanto, Ajshel përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet dhe pasion.
Në juri ishte edhe profesori i njohur italian Alessandro Kolshi, drejtor i Universitetit të Kantës në Itali, i cili e vlerësoi zërin e saj si “një diamant në rritje që premton shumë për të ardhmen”.

Zëri i vogël i Ajshelit po rritet çdo ditë bashkë me ëndrrat e saj. Një yll që po lind nga Elbasani dhe që ndoshta nesër do të ndriçojë skenat më të mëdha të botës. 🌟