Elbasani rikthen magjinë e teatrit të kukullave për fëmijët!

0

 

Pas një periudhe të gjatë mungese, fëmijët elbasanas kanë më në fund ambientin e tyre të dedikuar për artin e kukullave. Në hapësirat e Teatrit “Skampa” u përurua sot salla e restauruar e Teatrit të Kukullave një investim i mundësuar nga Bashkia e Elbasanit dhe drejtoria e Trashëgimisë, Kulturës dhe Sportit, nën kujdesin e Artim Kovaçit.

Salla dikur e amortizuar ka pësuar një transformim të plotë: karrige të reja, skenë moderne, ndriçim dhe foní të përmirësuar. Tashmë, fëmijët mund të ndjekin shfaqjet e dashura në kushte komode dhe dinjitoze.
Teatri i Kukullave ka një histori të gjatë me premierat për më të vegjlit, nën drejtimin e regjisorit të përkushtuar Hysen Mullajonuzi. Ai ka fituar vlerësimin e artdashësve të rinj jo vetëm në Elbasan, por edhe në evente jashtë qytetit.

Kjo ndërhyrje shënon një hap të rëndësishëm për fuqizimin e kulturës për fëmijë në qytet, duke kthyer buzëqeshjen dhe emocionin e shfaqjeve të kukullave në jetën e përditshme të Elbasanit.