Në zemër të Shqipërisë, lumi Shkumbin po kthehet në një destinacion të preferuar për rafting, duke tërhequr çdo ditë më shumë vizitorë nga e gjithë bota. Këtë fundjavë, mbi 40 turistë nga Spanja po provojnë për herë të parë emocionet e rafting në Shkumbin.
Turistet spanjollë shprehen se i pëlqen natyra, ushqimi dhe njerëzit.
“Jemi të kënaqur që ndodhemi këtu duke shijuar mikpritjen e popullit shqiptar, po shijojmë natyrën, atmosferën e këndshme, dhe ushqimin. Prandaj mezi presim ta vazhdojmë këtë përvojë dhe, sigurisht, e rekomandojmë. Kjo është Shqipëria”, thotë një turist.
“Na pëlqejnë gjurmët historike që ndodhen këtu. Qenka një vend me histori, po shijojmë edhe natyrën, edhe njerëzit qenkan shumë simpatik. Ushqimi është shumë i shijshëm, shumë mesdhetar”, shprehet një tjetër.
Falë pasurive natyrore Elbasani po afirmohet si një destinacion i rëndësishëm për turizmin e aventurës.
“Lumi Shkumbin është kthyer në destinacion për rafting dhe ne këtë do te promovojmë, rafting ne lumin Shkumbin. Sot jemi me më shumë se 40 Spanjoll të cilet vijnë për here të parë ne Shqipëri dhe për here të parë në Shkumbin për rafting. Sa rëndesi ka. Elbasani nuk ka det por po zhvillon turizëm të tillë? Elbasani ka potencial shumë të madh për turizmin e aventurës, ku hyn edhe rafting. Kemi haiking kemi ecjen me biçikleta apo parashutizmin. Përveç gastronomisë që është akoma me e famshme”, thotë Artur Guni, drejtori i Agjencisë së Kulturës dhe Turizmit Elbasan.
Ky trend i rritjes së vizitorëve ndërkombëtarë është një tregues se Elbasani po afirmohet si një destinacion i larmishëm dhe me perspektiva të mëdha në turizmin e aventurës në Shqipëri.