Enigma e vrasjes së Pjerin Xhuvanit ende s’është zgjidhur! Kush qëlloi me dy pistoleta

0

Kur na ndajnë edhe 5 ditë nga mbushja 1 vit e vrasjes së Pjerin Xhuvanit dhe plagosjes së katër personave të tjerë, grupi i hetimit, ka vendosur të shtyjë afatin hetimor me tre muaj të tjerë, me qëllim hetimin e mëtejshëm të kësaj dosje penale. Afati prej 12 muaj i prokurorisë, përfundon në datën 21 Prill, por grupi i hetimit ende nuk ka dalë në konkluzjonin përfundimtar, se kush ishin personat e tjerë që kanë qëlluar me armë zjarri.

Nga dita e parë e ndodhjes së ngjarjes e deri më sot, në burg ndodhet vetëm ish-efektivi i repartit RENEA, Arbër Paplekaj, akuza ndaj të cilit është provuar se ka qëlluar për vdekje në dretim të Pjerin Xhuvanit dhe dhëndrit të tij, Eltjon Bodinaku.

Ndërsa Klemend Xhaferaj, i njohur si “Kel Çami” dhe i lançuar nga policia e Elbasanit si pjesëmarës në këtë ngjarje, ende nuk është arrestuar, por vijon të qëndrojë në arrati. Deri në këtë fazë vijon të mbetet e paqartë, se kush ka qëlluar në drejtim të dy personave të tjerë Emiljano Prenga, dhe ish-policit Pavlo Vuksani.

Nga pamjet filmike të analizuara dhe ekspertizat e kryera ka rezultuar se Paplekaj është personi i veshur me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra dhe në brez mban një çantë Marsup, nga e cila nxjerr dhe armën e zjarrit. Ai qëllon në këndin e drejtimit, duke pasur përballë Pjerin Xhuvanin si dhe punonjësen e policisë, e cila qëndron prapa një furgoni të forcave të rendit.

Si pasojë e të shtënave nga 3 armë të ndryshme, në zonë është krijuar panik. Madje dhe dy zv/drejtorët e policisë që kishin shkuar për të normaliziuar situatën së bashku me një grup të “Shqiponjave” nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për parandalimin e ngjarjes. Dy zv/drejtorat e policisë, shihen në pamjet filmike që fshihen pas dyerve të makinave të tyre “Range-Rover” dhe nuk bëjnë asgjë për të arrestuar personat që po qëllonin.

Ngjarja e rëndë e ndodhur në 21 prill 2020 tronditi qytetin e Elbasanit, pasi rreth orës 14:00, ish-efektivë policie dhe ish-efektivë ushtrie, bllokuan automjetin e shtetasit Mehmet Grejsi, i cili dyshohej nga PD se po shpërndante lekë dhe blinte votat në lagjen “5 Maji”. Bllokimi i automjetit dhe mbajtja përmes forcës dhe dhunës së Mehmet Grejsit, ka sjellë përdorimin e armëve, deri në ekzekutimin e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e 4 personave të tjerë, përkatësisht Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Kjo ngjarje ndodhi vetëm 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke shënuar rastin më të rëndë të zgjedhjeve të kaluara.

Marrë nga OraNews


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu