Erdogan, ky komandant real i NATO-s

0

 

Nga Anisa BAHITI

Pak ditë më parë, u betua Presidenti i ri i SHBA-së, i cili në fakt është ish- Zv.Presidenti i vjetër i epokës Obama, Joe Biden. Në programin e tij të politikës së jashtme dhe të sigurisë, ai foli për nevojën e ristabilizimit dhe forcimit të ekuilibrave brenda “Aleancës Atlantike” të NATO-s.

 

Në konceptin e fundit strategjik, të NATO-s në vitin 2010, u vendosën disa prioritete doktrinare, siç ishte siguria mesdhetare, garantinimi i sigurisë në Evropën Lindore dhe Detin e Zi, (nënkupto Rusinë), si dhe siguria e Hemisferës Veriore të planetit (nënkupto këtu Kinën).  Që atëherë kanë ndodhur shumë gjëra: lufta në Ukrainë, “Pranvera Arabe” dhe impakti i saj në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik etj.

 

Megjithatë ky kostelacion i politikës së sigurisë, ka konfirmuar sërish prioritetet e konceptit strategjik të NATO-s. Nisur nga ky koncept 10-vjeçar strategjik edhe nga ndryshimet e thella gjeopolitike, duhet thënë, se Sekretari në ikje i shtetit të SHBA-së, Pompeo, ka bërë politikë të brendshme duke propozuar sanksione ndaj aleatit të saj Turqisë dhe Presidentit Erdogan. Ndaj premtimi i Presidentit të Ri Biden, për ristabilizim ekuilibrash është mëse realist. Kjo ndodh sepse të gjitha prioritetet e konceptit strategjik të Aleancës kanë të bëjnë me Turqinë dhe Komandantin e saj Suprem të Forcave të Armatosura, Rexhep Taip Erdogan.

 

Siguria mesdhetare është fronti numër 1 i Turqisë, me në krye Libinë dhe Sirinë. Turqia jo vetëm ka dërguar trupa për të luftuar terrorizmin, por ka garantuar edhe sigurinë energjitike të këtyre vendeve, e mbi të gjitha nuk ka lejuar që Rusia të marrë kontrollin e jugut të Mesdheut, ndërkohë që të gjithë aleatët e tjerë janë tërhequr, përfshirë SHBA-në.

 

Siguria e kufijve Lindor është po ashtu fronti i parë i Turqisë dhe NATO-s. Zbulimi i rezervave të mëdha të gazit natyror nga Turqia në Detin e Zi, si dhe fitorja e luftës në Karabakh, e kanë sprapsur “hovin rus” në kontrollin e Sigurisë Energjitike të Kaukazit dhe të Detit të Zi.

 

Sërish Turqia është fronti i parë i asaj që administrata e re amerikane do t’i duhet të përballet, Irani dhe marrëveshja e re për ndalimin e programit bërthamor. Irani është vendi me vijën më të gjatë kufitare të Turqisë dhe me Azerbajxhanin, ku sërish Turqia është partneri i parë i sigurisë.

 

Turqia është ushtria numër dy në NATO për nga sasia, efikasiteti dhe teknologjia sot për sot. Dronet turq “Bajraktari” në Karabakh treguan që kemi të bëjmë me një epokë tjetër të teknologjisë ushtarake.

 

Turqia është fronti i parë i sigurisë energjitike të Evropës dhe NATO-s. Gjithashtu Turqia duke kontrolluar burimet energjitike në Kaukaz, Detin e Zi dhe Kaspik, dhe duke mos lejuar lidhjen tokësore Rusi –Iran është edhe faktori më i rëndësishëm i mosndërtimit të një gazsjellës, që do të furnizonte drejtpërdrejtë Kinën dhe ekonominë e saj të fuqishme, që është prioritet i politikës ekonomike të SHBA-së. Pa llogaritur këtu Ujgurët Myslimanë në Republikën e Turkistanit në territorin e madh kinez, të cilët e njohin Turqinë për atdhe origjinar.

 

Siç shihet qartë, nëse ka një front të gjerë të NATO-s, ai front është fronti turk, nëse ka një ushtri të madhe ajo është ushtria turke. Nëse ka një të ardhme, ajo është suksesi i Turqisë. Dhe nëse sot ka një Komandant në vijë të parë, ai është Erdogani.

Nuk prishet aleanca atlantike e NATO-s për një furnizim me raketa nga Rusia sepse, po të prishej NATO, e vetmja fituese do të ishin Rusia dhe Kina. E ardhmja do të jetë më e sigurt dhe më e qartë, nëse aleanca do të ishte më solide dhe transparente për sigurinë e popujve atlantik dhe europianë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu