HUNGARI- Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndodhet në një vizitë shtetërore në Hungari, ku u takua me homologun e tij hungarez Novak dhe do të takojë kryeministrin Viktor Orban për të diskutuar një agjendë dypalëshe dhe ndërkombëtare, e cila ka ndër pikat kryesore hyrjen e Suedisë në NATO.
Turqia dhe Hungaria janë në fakt të vetmet vende anëtare të aleancës Atlantike që ende nuk i kanë dhënë dritën jeshile zyrtare hyrjes së vendit skandinav. Korrikun e kaluar, në samitin e NATO-s në Vilnius, Suedia mori pëlqimin e Erdoganit pas muajsh rezistence dhe negociatash. Që atëherë, megjithatë, parlamenti turk nuk e ka ratifikuar vendimin. Ditët e fundit, Turqia e ka kushtëzuar ratifikimin me shitjen e avionëve luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara. Qeveria hungareze, nga ana e saj, e justifikoi vonesën me arsye të ndryshme duke përfshirë kritikat e bëra nga disa politikanë suedezë për veprime jodemokratike.
Erdogan u prit në Budapest me nderime ushtarake nga presidenti Katalin Novak, përpara se të shkonte në rezidencën e tij në kryeqytetin hungarez, Sandor Palace. Shtypi vendas thekson se në tavolinë janë edhe çështjet e energjisë, duke qenë se Hungaria pritet të fillojë importimin e gazit përmes Turqisë në vitin 2024. Bisedimet më të pritura janë ato mes Erdoganit dhe Viktor Orbanit, i cili do të kryesojë takimin e gjashtë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë midis Turqisë dhe Hungarisë.