Në një prej zonave më piktoreske dhe më të virgjëra të Shqipërisë, në Fushë-Studën, në zemër të Parkut Kombëtar Shebenik këtë të shtunë u organizua një festë e veçantë me karakter promovues i turizmit malor dhe kulturor. Aktiviteti “Shebeniku Feston” u zhvillua nën kujdesin e Drejtorit të Zonave të Mbrojtura, Fatmir Brazhda dhe stafit të institucionit të drejtuar prej tij me mbështetjen e Bashkisë së Librazhdit dhe komunitetit vendas.Ky takim kishte si qëllim të promovonte vlerat e jashtëzakonshme natyrore, peizazhin e ruajtur, biodiversitetin e pasur dhe trashëgiminë kulturore të kësaj zone të rrallë e cila është një nga perlat më pak të eksploruara të Shqipërisë.Parku Kombëtar Shebenik i cili e mori këtë status 17 vite më parë shtrihet në lindje të Shqipërisë dhe kufizohet me Maqedoninë e Veriut. Ai përfaqëson një nga zonat më të pasura në biodiversitet në Ballkan dhe njëkohësisht një nga habitatet e fundit natyrore të arinjve, rrëqebullit të Ballkanit dhe shumë llojeve të tjera të mbrojtura.Fushë-Studën, vendi ku u organizua festa , ofron një pamje të jashtëzakonshme e cila është një luginë e gjelbër mes maleve të larta, me përrenj të pastër, livadhe alpine dhe pyje të dendura. Pikërisht në këtë ambient, u organizua aktiviteti që bashkoi natyrën me kulturën dhe trashëgiminë popullore.Festa u karakterizua nga një atmosferë tepër e ngrohtë dhe autentike. Gratë dhe vajzat e zonës përgatitën gatime tradicionale të zonës së Librazhdit duke ofruar për vizitorët ushqime të shijshme, bio dhe plot shije nga byreku me hithra te gjella me kërpudha mali dhe ëmbëlsirat e përgatitura sipas recetave të vjetra.Ansamblet popullore lokale sollën valle dhe këngë tradicionale duke krijuar një ambient festiv që ndërthurte gjallërinë me qetësinë e natyrës. Mikpritja e banorëve vendas u vlerësua nga të gjithë të pranishmit të cilët përjetuan nga afër kulturën e gjallë dhe të ruajtur me fanatizëm në këtë zonë.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Dusha, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë që ka Parku Kombëtar Shebenik për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe promovimin e identitetit lokal.“Shebeniku nuk është vetëm pasuri natyrore, por edhe një mundësi reale për zhvillimin ekonomik të zonës përmes turizmit ekologjik dhe kulturor. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe turistëve të huaj të vizitojnë këtë mrekulli natyrore, të përjetojnë mikpritjen e komunitetit tonë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e kësaj trashëgimie të rrallë,” u shpreh Disha.Drejtori i Zonave të Mbrojtura, Fatmir Brazhda nënvizoi gjithashtu se qëllimi i aktivitetit nuk ishte vetëm promovimi i turizmit, por edhe rritja e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe trashëgimisë kulturore:“Parku Kombëtar Shebenik është një nga zonat më të pastra dhe më të mbrojtura në vend. Ne duam ta mbajmë kështu, por njëkohësisht t’ia tregojmë botës këtë pasuri. Festat si kjo janë forma të gjalla të edukimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.”Ky aktivitet është pjesë e një nisme më të gjerë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonat e mbrojtura, duke bashkuar përpjekjet e institucioneve shtetërore, autoriteteve vendore dhe vetë komuniteteve që jetojnë në këto zona.Përmes ngjarjeve të tilla, synohet jo vetëm të nxiten vizitat turistike, por edhe të krijohet një ndjeshmëri më e thellë ndaj ruajtjes së mjedisit dhe vlerave autentike që lidhen ngushtë me natyrën.Shebeniku është më shumë se një park ,është një përvojë që nuk duhet humbur.
Ftesa është e hapur për të gjithë: hajdeni dhe përjetoni natyrën, mikpritjen dhe shpirtin e vërtetë shqiptar në një nga vendet më të veçanta të Ballkanit.