Fier – Strukturat e Policia e Shtetit, përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë ekzekutuar urdhrin e ndalimit për shtetasin Agim Gashi, 38 vjeç, banues në Fier.
Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Sipas hetimeve, Agim Gashi dyshohet se, në bashkëpunim me vëllain e tij K. Gashi, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim në IEVP Fier, ka kryer ngjarjen më 7 dhjetor 2023, në lagjen “16 Prilli”.
Si ndodhi ngjarja
Nga veprimet hetimore rezulton se viktima, Elton Javori, 41 vjeç, po lëvizte me automjetin e tij tip “Porsche” kur është qëlluar me armë zjarri.
Dyshohet se autori e ka pritur pranë banesës dhe më pas e ka ndjekur me automjet. Në një moment, kur viktima ka ulur xhamin e makinës, është qëlluar me armë zjarri.
Edhe pse ka tentuar të largohet, 41-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë pak metra më tej.
Pas ngjarjes, autori dyshohet se është larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.
Motivet e dyshuara
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të mëparshëm mes palëve, i regjistruar rreth dy javë para vrasjes, ku ka pasur përplasje dhe ofendime.
Hetuesit dyshojnë se ky konflikt mund të jetë bërë shkak për ekzekutimin, ndërsa deri më tani është përjashtuar pista e lidhjes së ngjarjes me raste të tjera kriminale në qytet.
Hetimet në vijim
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Fier për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së personave të tjerë të mundshëm në këtë ngjarje.





