Fiket zjarri në landfillin e Elbasanit, por banorët kërkojnë zgjidhjen e problemit

0

Pas pesë ditësh në përballje të vazhdueshme me flakët, vatra e zjarrit në vendepozitimin e mbetjeve urbane në Elbasan është vënë më në fund nën administrim.

Forcat zjarrfikëse nga Elbasani dhe bashkitë përreth, të mbështetura edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave dhe mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes, punuan ditë e natë për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Terreni i vështirë, sasia e madhe e mbetjeve dhe temperaturat e larta e bënë ndërhyrjen tejet të vështirë. Vatra kryesore është inkapsuluar përmes hedhjes së ujit dhe inerteve, por ndotja e shkaktuar gjatë këtyre ditëve ka lënë gjurmë.

Banorët e Elbasanit dhe zonave përreth shprehen të shqetësuar për pasojat në shëndet, duke thënë se tymi dhe smogu kanë qenë të padurueshëm.

“Kemi pas vështirësi në frymëmarrje, fëmijët janë sëmurë, tymi nuk pushoi as natën.”
“Nuk mund të jetojmë më kështu, kërkojmë zgjidhje nga institucionet. Po na dëmtohet shëndeti.”

“Era e rëndë e tymit na futej në shtëpi. Askush nuk merr përgjegjësi për këtë situatë që përsëritet.”

Për ngjarjen, prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e ndotjes dhe origjinën e zjarrit. Deri më tani, as për këtë rast dhe as për rastet e mëparshme, nuk ka një shkak zyrtar të konfirmuar për shpërthimin e flakëve.