Foto/ I shpëtoi atentatit, ky është 41-vjeçari që mbeti i plagosur në Selitë! Saga e hakmarrjes, nga ekzekutimi i Aleksandër Sadikajt, tek tentativa për t’i vrarë dy herë të vëllain

0

Personi që shikoni në foto është 41-vjeçari, Zamir Kalemi i cili i shpëtoi një atentati rreth orës 22:55 të mbrëmjes së të premtes (12 Janar), tek rrethi i Selitës në kryeqytet.

Ai po udhëtonte me një automjet tip Smart, kur persona të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të tij nga një makinë tjetër në lëvizje. Por fatmirësisht, Zamir Kalemi i ka shpëtuar atentatit, duke marrë vetëm një plumb në këmbë.

41-vjeçari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Zamir Kalemi rezulton të jetë arrestuar në shkurt të 2020 për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit.

Ndërkohë vëllai i tij, Andrea alias Adriatik Kalemi dyshohet se është i përfshirë në ezekutimin e biznesmenit Edmod Papa, i cili dyshohet se u vra si hakmarrje ndaj atentatit mafioz ndaj djalit të dajës së tij, Aleksandër Sadikaj.

Andrea Kalemi i ka shpëtuar një atentati në Greqi më 9 gusht të vitit 2023, në ishullin Paxos të Greqisë, teksa pushonte me familjen, si edhe një tjetër sulmi në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos” në Athinë ku u godit nga i burgosi egjiptian me thikë. Dyshohet se sulmi në burg ndaj 51 vjeçarit ishte tentative për vrasje me pagesë.

Saga e hakmarrjes

Andrea Kalemi nga Memaliaj, arriti t’i shpëtojë një tjetër sulmi në dhjetor 2023 në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos” në Athinë, ndërsa një i burgosur egjiptian e ka goditur me thikë.

51 vjeçari, i cili njihet edhe si Adriatik Kalemi, u plagos rreth datave 14 ose 15 dhjetor, ndërsa dyshimet janë hedhur mbi pistën e një tentative për vrasje me pagesë.

Kalemi mori marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28 vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup.

Ngjarja është shënuar vetëm pak ditë para se Kalemi të lirohej nga burgu dhe nuk dihet nëse autori ka pritur pikërisht këtë çast. Pas daljes nga spitali, Kalemi është shoqëruar për në kufirin greko-shqiptar nga policia pasi e ka përfunduar dënimin dhe për këtë arsye është riatdhesuar.

Por ku nuk ishte atentati i parë, që Kalemi arrin t’i mbijetojë. Ai u bë shënjestër e një sulmi edhe më 9 gusht të këtij viti, në ishullin Paxos të Greqisë, teksa pushonte me familjen. Autori, ende i paidentifikuar, i cili dyshohet se mbërriti në ishull me jet-ski, hapi zjarr ndaj Kalemit duke e lënë të plagosur rëndë.

Në vendngjarje policia greke gjeti 14 gëzhoja. Ai u transportua me skaf në limanin Arila në Perdika dhe më pas me autoambulancë drejt Janinës ku mori ndihmën e parë. Policia greke e arrestoi Kalemin pasi zbuloi se ai kërkohej nga policia për një çështje të vjetër dhe e transferoi atë në burgun e Koridhalos pas kaloi rrezikun për jetën dhe u rehabilitua plotësisht.

Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi, është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt nga Memaliaj, i ekzekutuar në një atentat me eksploziv në Sauk të Tiranës në qershor 2022.

Në 16 dhjetor 2022 në Tiranë u ekzekutua biznesmeni nga Fieri me banim në Sarandë, Edmond Papa. Për vrasjen e tij është arrestuar shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, 30 vjeç ndërsa në kërkim është shoku tjetër i tij, Andrew Bode, 44 vjeç, i cili është edhe personi që ekzekutoi Papën.

Në dosjen e ngjarjes përmendet edhe emri i Andrea Kalemit. Saga e hakmarrjes ka nisur pas dyshimeve të familjes së Aleksandër Sadikajt se pas vrasjes së këtij të fundit, qëndron Edmond Papa. Edhe atentati në Paxous ndaj Andrea Kalemit, dyshohet të ketë lidhje me këtë zinxhir ngjarjesh, ndërkohë qe mbeten ende të paqarta shkaqet e plagosjes së fundit të tij.

Kalemi dhe Sadikaj mësohet se kanë pasur miqësi me Edmond Papën e familjarë të tij, nisur që nga fakti që Hotelin “Blue Sky” në Sarandë, Edmond Papa e kishte blerë nga Andrea Kalemi, i cili e zotëronte nën emrin “Zatik”. Miqësia vazhdoi më pas edhe me të riun Sadikaj, i cili më pas u ekzekutua për shkaqe që dyshohet të lidhen me larjen e hesapeve mes ish-miqve.

51 vjecari Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi, në vitin 2001 rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 shtetas të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.

Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi rezulton edhe biznesmen në Memaliaj, bashkëpronar i kompanisë “Shza Kalemi” sh.p.k me adresë në Memaliaj dhe objekt “Në fushën e tregëtisë, import, eksport, tregti me shumicë dhe pakicë e mallrave industriale, ushqimore, bujqësore e blegtorale, veshmbathje, konfeksione, prodhim, përpunim e tregëtim i materialeve të ndërtimit, inerte, rërë, zhavorr, tregtim i automjeteve, makinerive, hidrosanitare, bimëve medicinale, të lëndës drusore, plastike, duraluminit etj. Bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele etj.

Agjensi shitblerje dhe dhënie me qera të pasurive të patundshme, agjenci transporti të udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete të ndërtimit. Pastrim të sipërfaqeve urbane, gjelbërim mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta, mirëmbajtjen e varrezave publike dhe dekorim të qytetit”. Kalemi rezulton pronar edhe i Bujtina “Vjosa” në Memaliaj dhe i lokal “Las Palmas” në Tiranë. Firma e Andrea Kalemit rezulton përfituese tenderash nga Bashkia Memaliaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu