Në fshatin Pishkash Veri të Prrenjasit mungon dora e shtetit, por jo minierat qe nxjerrin miliona lekë krom.
Rreth 500 banorët e këtij fshati, sipas ish- kryeplakut, kryeplakut aktual, por edhe denoncuesit Harzis Mekshi, nuk kanë ujë të pijshëm, sepse burimi që kanë pasur në mes të fshatit, kur miniera e kromit është dhënë për shfrytëzim, u mor nga miniera. Sipas tyre uji është ndotur nga subjekti privat që punon në galeritë e minierës të kromit.
Gazetarët e “Xhadat” ecën gati 1 kilometër brenda galerive, nën 500 metra thellësi për të konstatuar 3 tuba uji, 2 që mblidhnim ujë në pellgjet e hapura të mbushura me mbetjet e dala nga miniera dhe një tub që merrte ujë të pastër nga depoja kryesore e ujit. Të tre këto tuba derdheshin në pusetën kryesore të fshatit duke u bashkuar me njëri-tjetrin dhe duke dërguar ujë të ndotur në shtëpitë e banorëve të Pishkashit. Subjekti privat mban përgjegjësi vetëm për vendosjen e tubit që sipas tij mbledh ujë të pijshëm, ndërsa për dy tubat e tjerë akuzon banorët. Në ballafaqimin mes denoncuesit dhe administratorit të firmës që shfrytëzon minierën, denoncuesi akuzon për vendosjen e tyre, subjektin privat, Loshi BL, me administrator zotin Bajram Loshi.
Faji mbeti pa zot, ndërsa banorët e fshatit vazhdojnë të pinë ujë të ndotur. Sipas ekspertit Sazan Guri, kromi bën pjesë te metalet e rënda dhe dëmton rëndë shëndetin. Në gjithë këtë problem, skandali qëndron tek shteti, që duket se nuk e ka në hartë këtë fshat. Teksa shteti duhet t’i ofrojë banorëve furnizim me ujë të pijshëm, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Prrenjas pohoi faktin se ky fshat nuk është nën administrimin e tyre, sa i takon furnizimit me ujë.