Është arrestuar në Itali,një shtetas shqiptar, 30 vjeç, ndaj të cilit kishte një urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet belge për trafik ndërkombëtar droge.
Ai kishte rreth një vit e gjysmë që qëndronte i lumtur në Falconara, si mysafir i dikujt në një apartament në qytet.
Mediat italiane shkruajnë se ,“Ai kishte edhe një punë si mekanik dhe askush nuk mund të dyshonte për këtë 30 vjeçar shqiptar që ishte kaq i dashur me klientët dhe miqtë. Megjithatë ai kërkohej nga forcat e policisë në gjysmën e Evropës”.
Ai u arrestua nga karabinierët e njësisë hetimore të Ankonës, të cilët ekzekutuan urdhrin autoriteteve belge, shteti ku shqiptari jetonte para se të mbërrinte në Itali dhe ku sipas akuzës ka kryer krimin e trafikut të drogës.
Prej disa ditësh shqiptari ishte vënë në shënjestër të policisë, e cila ndoqi me kujdes lëvizjet e tij, derisa ata e arrestuan.