Në një intervistë të fundit, kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Elbasan, Florenc Spaho, ndau vizionin e tij për fushatën dhe sfidat kryesore me të cilat përballet qyteti. Ai e cilësoi këtë fushatë si një lëvizje për rikthimin e frymës qytetare në politikë, duke u fokusuar tek dëgjimi dhe përfaqësimi i vërtetë i qytetarëve. Spaho foli për nevojën e një angazhimi më të madh nga deputetët, synimin për 9 mandate në qark dhe rëndësinë e integrimit europian të Shqipërisë nën drejtimin e Edi Ramës. Me një qasje të re, ai theksoi se fushata e tij po zhvillohet me transparencë, respekt dhe një model të ndryshëm komunikimi me qytetarët.
1. Si e shihni këtë fushatë ndryshe nga të mëparshmet?
Kjo nuk është një fushatë e zakonshme. Është një lëvizje për të rikthyer frymën qytetare në politikë. Është ndërtuar mbi vlera, dëgjim dhe respekt për qytetarin. Ne nuk po shkojmë me receta boshe, por me përulësi. Me komunikim të drejtpërdrejtë, të sinqertë dhe mbi të gjitha, me një frymë të re që vendos qytetarin në qendër të vëmendjes.
2. Cilat janë sfidat kryesore të kësaj fushate në Elbasan?
Sfida e kësaj fushate është të afirmojmë paktin e besimit me qytetarin. Deputetët e Elbasanit duhet t’i japin më shumë zë problematikave të përditshme të qytetarëve. Duhet të ndërtojmë një model ndryshe – një model ku jemi të besueshëm, të përgjegjshëm dhe të pranishëm. Qytetarët janë lodhur nga politika që kujtohet për ta vetëm gjatë fushatave. Ne po përpiqemi të shkojmë derë më derë, jo për të kërkuar votë, por për të dëgjuar zërin e çdo qytetari. Koha është e shkurtër, por kemi një skuadër të jashtëzakonshme dhe një drejtim serioz me zotin Arbër Mazniku, që i ka dhënë kësaj fushate ritëm, etikë dhe besueshmëri.
3. Pse mendoni se Partia Socialiste do të arrijë 9 mandate në Elbasan?
Sepse kjo nuk është vetëm një fushatë politike – është një mobilizim njerëzor. Jemi të vetmit me një strukturë të organizuar, me program të qartë dhe me përfaqësim real të komunitetit. Fryma që kemi ndërtuar është e sinqertë, pa arrogancë, me fytyra të reja që flasin gjuhën e qytetarit. Dhe këtë herë, qytetarët po ndihen të përfshirë dhe të respektuar.
4. Çfarë do të bëjë ndryshe Florenc Spaho në këtë fushatë? Cilat janë risitë?
Ajo që po bëjmë ndryshe është mënyra si po i afrohemi qytetarëve. Nuk po i kërkojmë votën si favor, por po e shohim si përgjegjësi që duhet fituar me respekt dhe dëgjim. Po i takojmë njerëzit në shtëpitë e tyre, në rrugët e lagjes, në ambientet ku jetojnë realitetin. Risia nuk është vetëm në stilin e komunikimit, por edhe në përmbajtje – në mënyrën si flasim për problemet, si marrim ide nga qytetarët dhe i kthejmë në angazhime konkrete. Gjithashtu, kemi një fushatë që përdor teknologjinë, energjinë e të rinjve, dhe një frymë bashkëpunimi të ndershëm me të gjithë ata që duan të shohin një politikë më të ndjeshme, më njerëzore.
5. Pse mendoni se Shqipëria me Edi Ramën do të jetë pjesë e Bashkimit Europian? Dhe pse kjo fushatë është mision?
Në këto tre mandate, siç është shprehur edhe Kryeministri Edi Rama, janë bërë shumë punë të mëdha që publiku i ka shpërblyer me besim. Është e vërtetë që mes nesh ka pasur edhe nga ata që kanë përfituar në kurriz të socialistëve të thjeshtë dhe qytetarëve, por sot drejtësia po bën punën e saj. Për brezin tonë dhe të ardhmen e vendit, integrimi europian ka qenë një ëndërr që tashmë po bëhet realitet. Në vitin 2027, synojmë të përmbyllim të gjithë kapitujt e negociatave – dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa brezin e ri, energjik, që është gjaku dhe zemra e socialistëve. Nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipërinë e vizitoi presidenti francez Emmanuel Macron, u organizuan samite që nuk janë bërë kurrë më parë që nga themelimi i shtetit shqiptar, dhe kemi marrë simbolikisht ‘pasaportën’ e të qenurit të barabartë midis të barabartëve në familjen europiane. Janë bërë shumë hapa përpara dhe shumë gjëra të tjera që kanë rikthyer dinjitetin e shtetit tonë në skenën ndërkombëtare.
6. Cili është mesazhi juaj përmbyllës?
Deputeti nuk është privilegj, por përgjegjësi. Është një mision për të përfaqësuar me dinjitet, për të dëgjuar dhe për të shërbyer. Kjo fushatë është thirrje për përfaqësim të ndershëm, për politika me shpirt qytetar dhe për një politikë që nuk harron njeriun.
Siç thuhet në Bibël: “Kush dëshiron të jetë i pari ndër ju, le të jetë shërbëtori i të gjithëve” (Marku 10:44).
Dhe siç theksohet në Kuran: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi dhe ndihmë për të afërmit…” (Surah En-Nahl, 16:90). Ky është një thirrje e qartë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, ku drejtësia nuk është privilegj, por themel i paqes dhe zhvillimit.
Siç shprehej Faik Konica: “Atdheu nuk është një tokë, por një ideal për të cilin jetohet dhe punohet me dinjitet.”