Fushë Studen, Librazhd – Edhe këtë të dielë, Fushë Studen u shndërrua në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të zonës, duke mirëpritur dhjetëra familjarë dhe vizitorë nga vende të ndryshme.
Dëbora e bardhë dhe liqeni i ngrirë krijuan një peizazh mbresëlënës dimëror, duke e kthyer këtë zonë në një zgjedhje ideale për ata që kërkonin të kalonin një fundjavë ndryshe, larg zhurmës së qytetit.
E konsideruar si një nga pikat turistike më të bukura jo vetëm në Librazhd, por edhe në mbarë Shqipërinë, Fushë Studen ofron bukuri natyrore gjatë të katër stinëve të vitit. Liqeni, pyjet përreth, ajri i pastër dhe qetësia që ofron natyra janë të harmonizuara në mënyrë të përsosur, duke e bërë zonën tërheqëse në çdo periudhë.
Falë investimeve të realizuara në infrastrukturë, aksesimi drejt Fushë Studenit është tashmë më i lehtë. Ndërkohë, bashkia ka ndërmarrë investime për krijimin e ambienteve rekreative dhe çlodhëse, të dedikuara për vizitorët dhe turistët.
Sot, Fushë Studen vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj, një interes që vjen edhe si rezultat i promovimit të vazhdueshëm të zonës nga institucionet vendore, duke e kthyer këtë destinacion në një pikë referimi për turizmin natyror në Shqipëri.





