Gafa e policisë dhe SPAK në Elbasan, arrestoi “fakir fukaranë” në vend të shumëkërkuarit nga drejtësia

0

 

Nga Fatmir Popja

Në një episod që i ngjan më shumë një skenari filmik sesa një operacioni serioz hetimor është zbuluar pasi policia ka arrestuar fundjavën e kaluar një qytetar të pafajshëm nga Elbasani, vetëm sepse kishte fatin e keq të mbante të njëjtin emër me një të shumëkërkuar nga drejtësia.Bëhet fjalë për Ilir Lloshin, një 54-vjeçar që jeton në varfëri ekstreme në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit i cili për disa ditë u mbajt nën arrest si pjesë e operacionit të bujshëm të SPAK, i mbështetur mbi dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erjon Alibej në çështjen “Plumbi i Artë”.
Por pas disa ditësh ndalimi, rezultoi se policia kishte bërë një gafë të rëndë,kishte ngatërruar personin që duhej të ishte arrestuar . Në të njëjtën lagje ku u zhvillua operacioni, jetojnë dy persona me emrin Ilir Lloshi. Autoritetet, pa kryer verifikimet e nevojshme dhe pa përdorur as metodat më bazike të identifikimit personal, i vunë prangat të gabuarit.
Iliri Lloshi që u arrestua gabimisht është një burrë i thjeshtë, i papunë, që përkujdeset për motrën e tij të sëmurë dhe nuk ka asnjë lidhje me aktivitetet kriminale për të cilat akuzohet “Iliri tjetër”, ende i lirë dhe i pakapur.
Pas lirimit, qytetari arrestuar gabimisht është rikthyer në banesën e tij modeste , mes qetësisë dhe ironi së hidhur të fatit. Fqinjët i kanë sugjeruar të padisë SPAK dhe Policinë për arrestim të paligjshëm, ndërkohë që rasti ka hapur një debat të ri për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe saktësinë në veprimet e forcave të rendit.Ky incident i rëndë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e punës së institucioneve të zbatimit të ligjit në vend, sidomos kur bëhet fjalë për operacione të ndjeshme si ato të ndërtuara mbi dëshmi të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.Ironikisht, ndërsa një qytetar i pafajshëm u poshtërua padrejtësisht, personi i akuzuar real mbetet ende në kërkim ,një ironi e ashpër që vë në diskutim vetë funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe besueshmërinë e aksioneve “të suksesshme”.Ky nuk është vetëm një rast njerëzor që meriton ndjesë publike dhe drejtësi për viktimën e gabimit ,është një alarm për të gjithë sistemin,kur drejtësia humb busullën, i pafajshmi vuan, dhe fajtorët qeshin nga distanca.