Gjiknuri dhe Llatja takim me banorët e Rajonit 6: “Të mos lejojmë bunkerizimin e Elbasanit nga dyshja Berisha-Meta; PS hyn në garë me vizion dhe ekip”

0

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e Rajonit nr. 6 në Elbasan mbi çfarë është bërë deri më tani dhe projektet e shumta për 4 vitet e ardhshme. Gjiknuri deklaroi se në zgjedhjet e 14 majit garojnë dy filozofi të ndryshme, PS që përfaqëson njerëzit e punës dhe kundërshtarët që duan të mbajnë peng Elbasanin.
“Këtu kemi dy filozofi, njëra është filozofia e punës, e vazhdimit të punës së nisur duke ecur përpara me mbështetjen e qeverisë shqiptare. E kam dëgjuar kandidatin kundërshtar, ka filluar dhe ai të thotë do bëj, po çfarë do bëjë ai? Praktika ka treguar se sa herë e marrin këta të Partisë Demokratike, apo aleanca e re, “martesa” e re Berisha – Meta, bashkia bunkerizohet. Ai është kandidati i dyshes Berisha – Meta e cila edhe kur erdhi këtu në Elbasan pati një moto të çlirojmë Elbasanin nga zgjedha. Pra thanë se ne jemi pushtuesit. Do vika të na çlirojnë Ilir Meta me Sali Berishën apo me Flamur Nokën? Jo! Këta janë qytetarë të Elbasanit, të votuarit tuaj, pra janë njerëzit tuaj që qeverisin Elbasanin”, tha ai.

Gjiknuri deklaroi se Elbasani nuk duhet të kthehet në një llogore politike sikurse dëshiron dyshja Berisha-Meta. “Thelbi i tyre është që bashkia të kthehet në një llogore politike, asgjë për zhvillimin. Projekte me qeverinë nuk do kenë sepse ndërpresin komunikimin. Siç kanë bërë me Shkodrën dhe ndonjë bashki tjetër në të kaluarën, mungesë komunikimi.
E kthejnë fatin e Elbasanit në fatin e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Kjo është e vërteta”, tha Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut.

Numri dy i socialistëve komentoi dhe çështjen e inceneratorit të Elbasanit që ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në qytet.
“Gjëja e parë që do bëj tha, do zhduk inceneratorin. I tha njëri, po si do përpunohen plehrat? Jo tha, më mirë siç ka qenë. Pra do të kthejë gropën ku digjeshin plehrat.
Para një jave vajti atje dhe tha se nuk punon. Tani që punon tha, jo se djeg plehrat dhe prodhon helme. Po mirë, po ti djegim natyralisht plehrat ku ikin helmet? Projekti i tij është kthimi mbrapa. Do të mbyllë dhe atë vepër që është bërë për pastrimin e qytetit të Elbasanit që është shumë më i pastër se çka qenë. Të gjitha këto janë mesazhe të pastra që kandidati kundërshtar ka hyrë këtu vetëm për lojën e tij. Nuk kanë asnjë projekt. Kanë hallin të marrin bashkinë dhe të punësojnë ca militantë dhe gjithë këto punë të nisura që janë bërë këtu, që dhe Gledi i rreshtoi disa, do të mbeten në mes. Prandaj themi të shikojmë përpara, të mos kthejmë kokën mbrapa”, theksoi Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS deklaroi se vota për Gledin është garanci për zhvillimin e qytetit.

Ndërkaq, Kreu i Bashkisë Gledian Llatja, që më 14 maj kërkon besimin për një mandat tjetër të suksesshëm, theksoi se falë mbështetjes së vazhdueshme dhe të kryeministrit Rama, në Elbasan po realizohen shumë projekte të rëndësishme.
“Sot vijmë ballëlartë sepse pavarësisht se kishim një sërë sfidash në këtë mandat ne vazhduam nga puna. Kemi bërë shumë dhe kemi ende shumë për të bërë dhe ndaj sot kërkojmë mbështetjen tuaj, për 4 vite të tjera punë të Bashkisë së Elbasanit.
Po merremi gjithashtu me perspektivën tonë ekonomike. Me ndihmën e qeverisë Rama po bëjmë disa projekte të mira, ashtu siç është automotoparku i Elbasanit. Ndoshta duket diçka e largët, por ama është një zhvillim i madh për të gjithë qytetin. Po punojmë në Koridorin 8, e kemi parë të gjithë kur shkoni në Librazhd, një kantier të madh ndërtimor. Po ecim përpara me projektin për By pass e Elbasanit. Ne po vazhdojmë punën, kjo është detyra jonë, të flasim me njerëzit, të flasim me qytetarët ashtu siç kemi folur, të dalim derë më derë për të dëgjuar gjithësecilin dhe për të ndarë hallet me ta, për t’i zgjidhur ato”, tha ai.

Kandidati Llatja theksoi se e kërkon votësimin e qytetarëve për të vijuar me punët e mira të nisura dhe për të pasur një perspektivë më të mirë për qytetarët e Elbasanit.
“Ne duam të zhvillojmë Elbasanin, të zhvillojmë infrastrukturën në qytet, të zhvillojmë infrastrukturën në fshat, të zgjidhim problematikat e kahershme që kemi pasur.
Nuk kemi lënë një sektor pas dore. Po punojmë për infrastrukturën, po punojmë për Elbasanin turistik, për t’i dhënë vlerë të gjithë pasurive të mëdha që ne kemi, si Gjinari, Funari, Tregani, Kalaja e Elbasanit. Gjithashtu të shohim perspektivën për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë. Nee kërkojmë mbështetjen tuaj për 4 vitet e ardhshme në Bashkinë e Elbasanit. Duam të vazhdojmë punë të mira, duam të vazhdojmë zhvillimin infrastrukturor, duam të vazhdojmë me zhvillimin ekonomik dhe perspektivën tonë për një Elbasan të zhvilluar”, deklaroi kryebashkiaku Gledian Llatja.

https://we.tl/t-XdcWmr12DH


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu