Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e lagjes “28 Nëntori” në qytetin e Elbasanit për të diskutuar mbi projektet e ardhshme të zhvillimit të qytetit.
Gjiknuri i cili mban dhe detyrën e drejtuesit politik të qarkut, siguroi për mbështetjen e qeverisë për transformimin e Elbasanit.
“Votat tek Glediani që e keni djalin tuaj, djalë i ri me energji, një si ju që e njeh qytetin dhe nuk është vetëm. Ka qeverinë shqiptare, ka një parti e cila do t’i qëndrojë pranë gjithmonë në funksion të interesave të qytetarëve. Të mos e lëmë në mes Elbasanin. Elbasani nuk duhet të ndalet. Ka hyrë në një rrugë zhvillimi me qeverinë shqiptare. Kemi projekte masive për qytetin që do të ndryshojnë jetën e qytetarëve dhe nuk kemi pse ta vëmë në dyshim me zgjedhjet vendore pasi e kemi zgjedhjen tonë, e kemi djalin tonë, kemi PS, qoftë për Këshillin Bashkiak, qoftë për të drejtuar Bashkinë”, theksoi ai.
Drejtuesi politik i qarkut deklaroi se opozita e do Elbasanin për ta kthyer në një “bunker politik”.
“Do të dëgjoni dhe krahun tjetër që thotë ai ç’punë ka se kjo është garë lokale, qytetarët e Elbasanit paguajnë taksat, ne do i bëjmë gjërat vetë. Nuk i bën dot gjërat vetë, se aq para janë. Pra duhet patjetër një marrëdhënie shumë e mirë bashki-qeveri. Këto janë sa zgjedhje lokale, janë dhe zgjedhje politike. Eksperienca ka treguar që sa e ka marrë krahu tjetër, kur e ka marrë aty ku ka ndodhur aksidente historike në të parën, e kanë kthyer Elbasanin apo siç është rasti i Shkodrës apo i ndonjë qyteti tjetër, bunker politik. Çfarë do të thotë bunker politik? Shkon atje, Luçi në këtë rast, merr bashkinë, fut dhe ca militantë të tij pa punë dhe fillon punën nga Foltorja. I thotë ai bllokim, asnjë marrëdhënie me qeverinë “Rama”. Bllokim total. Pse? Përmbysja e qeverisë, revolucioni duhet të eksportohet nga Tirana në Elbasan. Revolucion Ilir Meta, Sali Berisha, se ata janë praktikisht, ata përfaqëson ai”, deklaroi Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve u shpreh se kandidati i opozitës nuk ofron asnjë garanci për vijimin e projekteve transformuese në Elbasan.
“Problemi është se çfarë përfaqësojnë dhe këtu do të hyjë dhe interesi i qytetarit, si do t’i bëjmë këto gjëra në Elbasan pa mbështetjen e qeverisë dhe pa këtë bashkëpunim politik. Dhe këtu do e bëjë një individ i vetëm?! Jo s’ka garanci te individi, prandaj them këtu duhet një ekip politik. Një ekip politik që kryetari i bashkisë, Partia Socialiste, qeveria e Partisë Socialiste, t’i çojmë përpara këto punë. Dhe këtu kanë filluar shumë projekte lokale, por do të vazhdojnë dhe projektet e qeverisë qëndrore që janë në interes dhe të komunitetit lokal. Ju e dini që ne tani po përfundojmë projektin për bypassin e Elbasanit e për të lehtësuar trafikun. Ky është projekt që do ta bëjë qeveria qëndrore, siç ka filluar zgjerimi i Korridorit 8”, deklaroi ai.
Gjiknuri theksoi se çdo lloj eksperimenti i gabuar do të sjellë ndalje të investimeve në qytetin e Elbasanin për ta kthyer atë në një konflikt politik.
“Asnjë votë nuk duhet të shkojë dëm. Kemi një projekt, ka një vizion për qytetin, ka mbështetje financiare, por nuk duhet të mbahet peng nga votat në Këshillin Bashkiak. Dhe prandaj lista e këshilltarëve dhe ajo është shumë e rëndësishme për të votuar për PS. E thashë, ky binom i ngritur që kundërshtarëve nuk ju pëlqen sepse ata nuk kanë se çfarë të ofrojnë përveçse të punësojnë militantët e tyre dhe ta zaptojnë bashkinë për ta kthyer në një bunker politik”, tha drejtuesi politik i PS për Elbasanin.
Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja nënvizoi investimet e kryera në lagjen “28 Nëntori” dhe projektet për 4 vitet e ardhshme.
“Kur ishim këtu para disa kohësh këto dy shkolla kaq të bukura profesionale “Ali Myftiu” dhe “Salih Ceka” nuk ishin kështu, edhe këto pallate nuk ishin kështu. Filluam rikonstruksionin, po vazhdojmë me punë të mira, do të vazhdojmë ta mbyllim të gjithë bllokun.
Jo vetëm këtë, por kemi edhe një risi, po i bëjmë bashkë me depozitat e ujit qëndrore, që të mos kemi më ngarkesa sipër.
E dimë që kemi shumë punë, kemi bërë shumë punë, jemi duke bërë sheshet e pallateve të brendshme, kemi një sërë investimesh që duhet t’i bëjmë brenda lagjeve, edhe tek njësia administrative, edhe tek qendrat shëndetësore.
“28 Nëntori” është një lagje e madhe, po shohim të gjithë sistemin tonë të zhvillimit urban, të gjithë rrugët tona.”
Edhe pse në mandatin e parë të tij Llatja u përball me shumë sfida në drejtimin e Bashkisë së Elbasanit, ai u bëri ballë vështirësive duke treguar një mirëmenaxhim të këtij insticioni.
“Pavarësisht se kishim shumë sfida, këtu kemi qenë, nuk jemi fshehur. Kemi katër vjet që jemi në detyrë, katër vjet që rrimë pranë qytetarëve, katër vjet që i përgjigjemi çdo telefoni dhe katër vjet që i vijmë në ndihmë të gjithëve. Me aq mundësi sa kemi, të gjitha nuk kemi mundësi t’i bëjmë përnjëherë, por ne po punojmë.
Por në thelb, po të bësh dallimin është shumë i dukshëm, ne do të vazhdojmë me punë të mira edhe këtë madat. Prandaj duam mbështetjen e qytetarëve, nuk bëjmë punë fushate, ne kemi katër vjet që bëjmë punë, dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe katër vite të tjera.
Ne tani dalim dhe kërkojmë mbështetjen tuaj për punën që kemi bërë, aty ku e kemi dhënë fjalën e kemi mbajtur, aty ku e japim fjalën e mbajmë, ky është dallimi ynë!
Deputeti Florenc Spaho dhe Kryetarja e PS Ermira Urupi theksouan se rikandidimi Gledit pas një pune shumë të mirë në mandatin e parë, i bën nder qytetit.