Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sot kërkesën e Sali Berishës dhe dhëndërit të tij Jamarbër Malltezi për revokimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kështu, ish-kyeministri Sali Berisha dhe Malltezi do të vijojnë të qëndrojnë në arrest në shtëpi.
Avokati i tyre, Genc Gjokutaj, ka kundërshtuar vendimin, duke sulmuar GJKKO-në të cilën e ka quajtur si një “komisariat politik”.
“Prokurorët duhet të shpjegonin, duhet t’i përgjigjeshin pyetjeve tona. Ku qendron korrupsioni i zotit Berisha. Prokurori tha “nuk i jap shpjegim pyetjeve tuaja”. Këtu nuk flitet më për gjykatë, këtu është një komisariat politik. Është kjo gjykatë që ka dhënë vendimin për të dy, dhe të mos kesh asnjë kuriozitet, “zoti prokuror më shpjegoni këtë”, absolutisht asgjë”, tha Gjokutaj.
I pyetur se kur mund të përfundojnë hetimet për klientët e tij, Gjokutaj u përgjigj me ironi duke thënë “pyesni Edi Ramën”.
“Se kur do të përfundojnë hetimet, as prokurorët nuk e dinë, se pritet fjala e Edi Ramës. As ata nuk kanë dijeni. Prokurorët nuk u japin drejtim akteve të tyre, lerë më pastaj aktin e ekspertimit. Ne këtë radhë ishim të habitur se ku konsistojnë, kanë pyetur persona që s’kanë lidhje dhe ia sjellin gjykatës si njerëz me peshë. Kjo nuk është më gjykatë”, tha ai.