Gjykata e posaçme merr vendimin për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla

0

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit është tërhequr sot për vendim ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili akuzohet për fshehje të ardhurash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Mësohet se vendimi final ndaj Llallës do të jepet rreth orës 13:30 të mesditës së sotme, ndërkohë që ish-kryeprokurori nuk ka mundësi të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar për ulje dënimi.

Dy javë më parë, gjatë leximit të pretencës, përveç burgut, prokuroria i kërkoi Gjykatës së Posaçme dënim plotësues për Llallën, përjashtimin e tij nga funksionet publike për 5 vite. Kjo kërkesë finale e prokurorisë, vjen pasi ish-kryeprokurori hoqi dorë nga gjykimi i shkurtuar dhe procesi rifilloi nga zero me procedurë të zakonshme.

Por, edhe pas pyetjes së dëshmitarëve në proces, prokuroria kërkoi të njëjtën masë dënimi për Llallën. Ndryshimi i vetëm është fakti se në rast fajësie, ish-kryeprokurori nuk përfiton ulje dënimi, ndërsa ai u kthye nga Gjermania për t’u përballur direkt me Gjykatën.

Ish-kryeprokurori u hetua dhe gjykua në gjendje të lirë dhe ndonëse rrezikon dënim me burg, ai nuk shkon në qeli para se një vendim i tillë të jepet nga një Gjykatë Apeli. Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu