Gjykata lë në burg shoferin e betonieres ku humbën jetën katër të rinj

0

TIRANË- Gjykata ka lënë në burg Aleksandër Krrashin, shoferin e betonieres në të cilën u përplas tragjikisht mjeti ku udhëtonin katër të rinj, që fatkeqësisht humbën jetën. Ndaj 24-vjeçarit, prokuroria ka ngritur veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Sipas materialit të referuar nga policia rrugore, shoferi nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimi, ndërkohë që para përplasjes fatale kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga aksidenti humbën jetën Enejdi Laçi dhe tre pasagjerët në mjetin e tij Erildi Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç.

Dinamika e aksidentit

Ngjarja ka ndodhur më 19 mars rreth orës 23:50 në Fushë-Prezë. Nga ky aksident tragjik humbën jetën 4 të rinj të moshës 20-25 vjeç. Viktimat janë identifikuar si Enejdi Laçi, Erildi Laçi, Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti. Sipas informacioneve, pranë vendit ku ndodhi ngjarja gjendet pika e betonit dhe betonieria me të cilën u përplas automjeti sapo kishte dalë në rrugë.

Automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonin 4 të rinjtë ka qenë në lëvizje teska ka ardhur nga pas dhe e ka goditur betonieren. “Benz-i” ka shpërthyer menjëherë në flakë, duke u marrë jetën 4 të rinjve, që për fat të keq u dogjën brenda makinës. Ndërkohë shoferi i betonieres, 24-vjeçari Aleksandër Krrashi, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe u shoqërua më vonë nga policia.

Automjeti tip “Benz” ka qenë me impiant benzinë-gaz, që mendohet të jetë edhe shkaku i shpërthimit të zjarrit menjëherë pas përplasjes. Një detaj tjetër që mund të ketë ndikuar në aksident, është edhe fakti se rruga nuk ishte e ndriçuar.

Sipas informacioneve, ka qenë një patrullë policie ajo që ka konstatuar aksidentin duke njoftuar zjarrëfikësen e Fushë-Krujës, e cila e ka pasur të pamundur shuarjen e flakëve dhe më pas është kërkuar dhe ndërhyrja e zjarrfikëses nga Tirana.