Një operacion i përbashkët ndërmjet Seksionit kundër Krimeve Ekonomike të DVP Tiranë dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, me Njësinë e Përbashkët të Investigimit me ShBA-në dhe me Prokurorinë e Tiranës, ka çuar në pranga gjashtë persona.
Një grup kriminal me pjesëtarë nga Shqipëria dhe Kosova, që falsifikonin dokumente me qëllim shitjen te personat që synonin të lëviznin ilegalisht, drejt shteteve që kërkojnë viza, është goditur nga autoritetet.
Nga ky operacion janë sekuestruar 15 dokumente, të huaja dhe shqiptare të dyshuara false, si edhe 7 telefona dhe një motomjet.
Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale:
-3 pasaporta dhe 3 karta identiteti amerikane;
-2 pasaporta, 2 karta identiteti dhe 1 leje drejtimi italiane,
-1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi angleze;
-1 leje drejtimi rumune;
-1 kartë identiteti shqiptare.
Së bashku me dokumentet e dyshuara të falsifikuara u sekuestruan 7 celularë dhe 1 motomjet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.