Korçë/ Shantazhet në rrjetet sociale, vajza adoleshente kërcënohen me publikime fotosh

0

Një situatë shqetësuese është raportuar në Korçë, ku një faqe në rrjetin social Instagram, përdoret për të bërë shantazhe.

Në këtë faqe Instagrami, targeti i sulmuar nga administratorët anonimë, ishin nxënës të shkollave të mesëm, por edhe 9-vjeçare shumica prej tyre vajza.

Adoleshentët e moshës 14-18 vjeç tregojnë se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike hapet dhe mbyllet.

Sipas tyre këtë herë veç bullizimit dhe denigrimit të bashkëmoshatarëve të tyre ka patur edhe video dhe foto me përmbajtje pornografike.

Denoncimi i rastit ka angazhuar strukturat e policisë së Korçës, prokurorisë dhe sektorit të Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Pas ndërhyrjes së ekspertëve kibernetikë faqja është mbyllur dhe po vijojnë hetimet intensive për të identifikuar administratorët e faqes dhe persona të tjerë të përfshirë në shpërndarjen e këtyre materialeve

Vetëm dje janë bërë mbi 21 forma të ndryshme shantazhimi. Ndërkohë ishte një oficere sigurie e një prej shkollave në Korçë e cila ishte vënë në dijeni nga një vajzë, që ka ngritur shqetësimin dhe më pas është bërë edhe denoncimi.

Eksperti kibernetik Thanas Dimço, tregoi se nëpërmjet këtyre faqeve bëhen presion, si edhe ka pasur tentativa shantazhi që kanë çuar deri në vetëvrasje. Ai bëri thirrje që çështja të ndiqet dhe autorët të vendosen përpara drejtësisë.