Goditet një nga grupet më të fuqishme shqiptare në Spanjë, 56 të arrestuar, sekuestrohen mijëra bimë kanabis

0

Një grup kriminal i përbërë kryesisht nga shqiptarë që merren me kultivimin e kanabisit është goditur në Barcelonë të Spanjës, duke çuar pas hekurave 56 persona, të moshave 19 deri në 58 vjeç.

Autoritetet vendore thonë se aksioni për goditjen e këtij grupi ka nisur më 24 maj të këtij viti, pasi mbahej nën vëzhgim një elektricist, i cili merrej me riparimin dhe kryerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike në dhjetëra objekte ku kultivohej kanabis.

Ndërsa gjatë aksionit të fundit të policisë spanjolle u sekuestruan 1250 kilogramë marijuanë, 22.600 bimë, 225.765 euro “cash” dhe një pistoletë. Pas çmontimit të pajisjeve, banesat do t’u kthehen pronarëve të ligjshëm, megjithëse kanë pësuar dëme të konsiderueshme për shkak të përshtatjes së tyre me kultivimin e drogës.

Shqiptarët kultivonin dy lloje kanabisi në 28 banesa: amnezi dhe kritike, furra e së cilës varionte nga 2300 deri në 2500 euro dhe transportohej me rrugë tokësore drejt vendeve të tjera të Europës.

Organizata kriminale fitonte 12 milionë euro në vit

Autoritetet spanjolle besojnë se vetëm nga shitja e kanabisit në Katalonjë, organizata shqiptare fitonte më shumë se tre milionë euro në vit, shifër kjo që është tre ose katërfishi i peshës së kanabisit të eksportuar në vendet e tjera evropiane. Në total mendohet se organizata fitonte rreth 12 milionë euro në vit, ndaj autoritetet kanë nisur një hetim paralel për pastrim parash.

Një pjesë e madhe e të ardhurave u investua në blerjen e bareve dhe restoranteve në Barcelonë. Ndërsa një pjesë tjetër dërgohej në Shqipëri e fshehur në valixhe ose me transferta të vogla bankare.

Shqiptarët kishin arritur të mashtronin kompaninë e furnizimit me energji elektrike, duke i shkaktuar një dëm prej rreth 1.5 milionë euro.

Nga prodhimi i kanabisit në 28 banesa, shqiptarët kishin konsumuar 4.39 GWh energji elektrike ose konsumin vjetor të 1256 familjeve katalane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu