Në qytetin e Gramshit u kremtua sot festa e Shën Sotirit, e njohur në gjuhën kishtare si Metamorfoza e Krishtit Shpëtimtar, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit liturgjik të Kishës Ortodokse.
Ceremonia u mbajt në Kishën Ortodokse të qytetit, ku mori pjesë Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Hirësi Andoni, i cili kryesoi Shërbesat e Shenjta.
Krahas tij, në meshë shërbyen edhe Atë Mihal Prifti, Atë Petro Halili dhe Atë Grigor Pelushi.
Gjatë fjalës së rastit, Mitropoliti Andoni theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj feste dhe vlerën që ajo mbart për besimtarët, duke sjellë në vëmendje domethënien e shndërrimit të Krishtit në mal, si simbol i dritës hyjnore dhe shpresës së jetës së re.
Pas përfundimit të ceremonisë, besimtarët e qytetit, klerikët dhe Mitropoliti u bashkuan në një tryezë të përbashkët ku u diskutuan tema të ndryshme që lidhen me jetën shpirtërore, sfidat e komunitetit dhe përforcimin e besimit ortodoks.
Festa e Shën Sotirit mbetet një nga ngjarjet më të dashura për komunitetin ortodoks të Gramshit, duke shënuar një ditë reflektimi, lutjeje dhe bashkimi shpirtëror.





