Greqia ‘zbarkon’ në Detin Jon, dëshiron të shfrytëzojë 2000 miliardë metra kub rezerva të gazit natyror, Shqipëria me sytë nga ‘Shpiragu’

0

Rezervat gjigante të gazit natyror në Greqi përmenden në një raport të gazetës ekonomike gjermane Handelsblatt, me rastin e fillimit të studimeve sizmike për hidrokarburet nga Sanco Swift në zonën në jugperëndim të Kretës dhe Peloponezit.

“2000 miliardë metra kub gaz natyror në brigjet greke. Greqia dëshiron të shfrytëzojë rezerva të mëdha. Kryeministri Mitsotakis përshpejton kërkimin e gazit natyror. Shfrytëzimi i tyre mund të fillojë që në vitin 2027. E gjithë Europa mund të përfitojë”, thotë Gerd Heller, korrespondent i gazetës ekonomike Handelsblatt, në një raport nga Athina.

Raporti i gjatë, sipas Deutsche Welle, fokusohet në njoftimet e fundit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për fillimin e studimeve sizmike nga anija Sanco Swift në zonën jugperëndimore të Kretës dhe Peloponezit dhe më vonë në Detin Jon në emër të kompanive, Exxon Mobil dhe Hellenic Energy.

Raporti i karakterizon këto veprime si “një lëvizje e re e Greqisë drejt shfrytëzimit të fushave të gazit natyror në ujërat e saj të hapura” dhe vëren: “Kjo është një çështje që për vite ishte anashkaluar për arsye të politikës klimatike, por edhe për shkak të besueshmërisë së supozuar të disponueshmërisë së gazit natyror të lirë rus. Tani lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike kërkon një rishikim. Greqia tani po kërkon një zëvendësim për gazin natyror rus, i cili në të kaluarën mbulonte 45% të konsumit. Depozitat e mundshme nuk janë vetëm me interes për Greqinë, por (…) Bazuar në konsumin e vitit të kaluar, ato do të mjaftonin për të furnizuar të gjithë BE-në me gaz natyror për më shumë se pesë vjet”.

Raporti paraqet gjerësisht të dhënat e disponueshme për depozitat e hidrokarbureve në zonat jugperëndimore të Kretës, Peloponezit dhe Detit Jon si dhe oraret e parashikuara për kërkime në këto zona bazuar në vlerësimet e ekspertëve nga agjencitë e përfshira dhe aktorët qeveritarë.

Ndër të tjera, raporti thekson: “Gjithashtu në Egje supozohet se ka depozita hidrokarbure”. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë asnjë hulumtim atje, sepse Greqia dhe Turqia nuk pajtohen për demarkacionin e zonave ekonomike. Megjithatë, Turqia nuk ka bërë asnjë pretendim për zonat që janë në fokus të hetimeve aktuale”.

A ka naftë në Shpirag?

Kryeministri shqiptar Edi Rama në të gjitha daljet e tij kohët e fundit, ka deklaruar se vendi gjendet pranë një zbulimi të madh, një vendburimi nafte, që sipas tij, “do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë” dhe, në një shkallë më të vogël, të vetë Evropës.

“Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë, shumë të rëndësishëm në tokë të gazit dhe naftës, që jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por do të luajë një rol edhe në të ardhmen energjetike të Evropës”, deklaroi ai.

Si Rama, ashtu edhe Ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku pranuan se kompania Shell nuk jep të dhëna dhe shifra për çfarë pritet, por pavarësisht kësaj, ajo deklaroi se “Shqipëria do të jetë një vend që do të prodhojë një sasi të rëndësishme nafte dhe gazi, e ndarë 60% për naftën dhe 40% për gazin”.

Po ashtu Kompania ‘Shell’ nuk i është përgjigjur kërkesës së Gazetës Shqiptare për një informacion të saktë në lidhje me mundësinë për gjetjen e naftës në zonën e Shpiragut.

Nga të gjitha këto deklarata, e vetmja gjë që është fakt është që një nga gjigandët ndërkombëtarë të naftës, holandezja Shell, është prej vitesh duke shpenzuar dhjetëramilionë dollarë në shpimin e puseve eksploruese në zonën e Shpiragut në Berat, me shpresë se do të gjejë naftë. Kompania nuk ka deklaruar gjë nëse ka gjetur apo jo naftë të shfrytëzueshme dhe as nuk ka shpallur nëse ka vendosur apo jo që të investojë për ta shfrytëzuar zbulimin që ka bërë.

Përgatiti: Gazeta Shqiptare/ E.D

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu