Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me analizat e produkteve ushqimore të marra në kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, ku u helmuan me salmonelë 17 fëmijë të një kophti shtetëror.
AKU thotë se analizat e qumështit, vezës dhe kofshëve të pulës dolën të pastra dhe pa praninë e salmonelës.
Njoftimi i AKU:
Në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr .1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV.
Informojmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.
Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.
Sapo të kemi këtë informacion, AKU do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut.