GRAMSH- Drejtoresha e Spitalit të Gramshit, Greta Lena ka folur në lidhje me rastin e helmimit të 70 fëmivë të cilët janë paraqitur me probleme shëndetësore. Lena thekson se situata është nën kontroll dhe se në spital janë paraqitur vetëm disa fëmijë.
Ajo shtoi se një rast ka pasur simptoma më të rënda dhe 2 të tjerë më lehtë. Lena theksoi se kopshti që fëmijët frekuentojnë është dezinfektuar. Drejtoresha gjithashtu ka konfirmuar se analizat e fëmijëve kanë gjetur prezencë të bakterit salmonelë.
“Fillimisht në urgjencë është paraqitur një fëmijë me simptoma më të rënda me temperaturë të lartë, diarre dhe të vjella. E referuam për ekzaminime te higjena dhe analizat konfirmuan prezencë të bakterit salmonelë. Më pas në spital mbërritën edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta frekuentues të kopshtit, ku analizat laboratorike konfirmuan sërish prezencë salmonele. U krye menjëherë dezinfektimi i ambienteve të kopshtit dhe në vijim, të paktën në spital, nuk janë paraqitur më raste fëmijësh me simptoma,” u shpreh drejtoresha e spitalit.
70 fëmijë të një kopshti në Gramsh janë helmuar nga ushqimi ndërsa në analizat e tyre u gjet prani e madhe të bakterit të salmonelës. Dyshimet paraprake janë se helmimi ka ardhur nga ushqimi i ofruar nga kompania e shërbimit katering.
Një grup i madh i fëmijëve gjatë këtyre ditëve është paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit të Gramshit dhe kjo ka alarmuar prindërit. Fillimisht prindërit kishin dyshuar për gjendje gripale të fëmijëve, por analizat e kryera treguan se ata ishin helmuar nga ushqimi. Helmimi u shkaktoi temperaturë të lartë, përzierje dhe dhimbje të forta koke.