Histori e trishtë! Djali i Diana Bahçjas po rritet me qumësht lope, nëna u dërgua në burg se nuk kishte larë një borxh

0

Problemi kryesor për foshnjën është ushqimi me gji, por për vogëlushin është gjetur një zgjedhje… kanë zgjedhur që t’i japin qumësht lope, që edhe pse nuk është i duhuri për t’u konsumuar nga foshnjat, duket se për të nuk ka rrugëzgjedhje tjetër.

SHKODËR- Zbulohen detaje të tjera lidhur me jetën e Diana Bahçjas, lehonës 27-vjeçare, e cila prej 8 ditësh është në burg, ndërsa jashtë ka lënë pa kujdesin e saj, foshnjën e porsalindur. Korrespondentja e Syri Tv në Shkodër Fatma Maka ka shkuar në banesën, ku e reja kishte lidhur jetën me bashkëshortin e saj, e cila ishte në kushte të mjerueshme. Ndërkohë që nëna lehonë është në burg, për foshnjën kujdeset babai, i cili ka lënë edhe punën për t’u kujdesur për të birin që është ende në djep.

Kur nuk është ai, me të voglin merret mbesa e familjes, vetëm 11 vjeç, por që ka marrë përsipër të kujdeset për vogëlushin pa mama. Kjo pasi gjyshi dhe gjyshja e saj janë shumë të moshuar, madje njëri është edhe i paralizuar dhe qëndron gjithë kohën në shtrat. Kështu për gjyshen e familjes, janë 2 persona që duan gjithë kohës kujdesin e saj.

Problemi kryesor për foshnjën është ushqimi me gji, por për vogëlushin është gjetur një zgjedhje… kanë zgjedhur që t’i japin qumësht lope, që edhe pse nuk është i duhuri për t’u konsumuar nga foshnjat, duket se për të nuk ka rrugëzgjedhje tjetër. Familjarët tregojnë se foshnja nuk është mësuar akoma me qumështin por familiarët po përpiqen të kujdesen më tepër për ta ushqyer pak nga pak në mënyrë që të mos ketë deficite.

Çfarë ka ndodhur?

Diana Bahçja ishte dënuar nga gjykata me gjobë, pasi pas ndarjes nga burri i parë, martesë nga e cila kishte një vajzë, nuk i ishte përgjigjur detyrimit që kishte për fëmijën. Ky pretendim mohohet nga Diana që deklaron se ish-burri e dhunonte. Por çudia ka ndodhur me vendimin e gjykatës. 3 vite pasi Diana Bahçja mori gjobën, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi ta konvertonte dënimin nga gjobë në 50 ditë burg, pa marrë parasysh faktin se ajo është nënë e një fëmije të porsalindur.

Pa asnjë dijeni ajo u arrestua dhe ndodhet në burg, edhe pse ligji bën një tjetër parashtrim për rastin e saj. Diana Bahçja përfiton nga ligji dhe Kodi Penal, që parashikon shumë qartë se në rastin kur nëna është shtatzënë ose ka fëmijën nën 1 vjeç, atëherë ekzekutimi i vendimit për dënim edhe në rast se është i drejtë, do të duhet të shtyhet derisa bebi të mbushë 1 vjeç. Kjo në rastin e saj nuk ka ndodhur. Nëna është në burg ndërsa për fëmijën që ka nevojë urgjente dhe të pajustifikuar për nënë, është duke u kujdesur i shoqi, Naim Bahçja bashkë me mbesën e tij 11-vjeçare. E dënuara Diana Bahçja është nga Burreli ndërsa edhe ish-bashkëshorti i saj që e ka denoncuar për braktisjen e fëmijës së parë disa vite pas divorcit është nga Burreli, denoncim që e ka bërë pasi Diana është martuar për herë të dytë në Shkodër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu