I fshihej drejtësisë prej kohësh, kapet në Elbasan 44-vjeçari i dënuar për drogë

0

Elbasan — Një 44-vjeçar i shpallur në kërkim u kap dhe u vu në pranga nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Shtetasi i identifikuar me inicialet U. K., banues në Elbasan, ishte i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me 4 vjet burgim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Nga ky dënim, gjatë verifikimeve rezultoi se i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 1 muaj e 26 ditë. Operacioni u realizua në vijim të punës së strukturave policore për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga hetimet.

Pas arrestimit, materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Policia apelon te qytetarët që të vijojnë bashkëpunimin duke denoncuar çdo informacion relevant që ndihmon në zbardhjen e rasteve dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.