I vodhi sendet personale një të ndaluari, procedohet polici në Gramsh

0

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në rajonin Elbasan-Korçë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal ndaj punonjësit të policisë, Nënkomisar G. C., 31 vjeç, specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Gramsh.

Masa e sigurimit përfshin “Ndalimin e daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj Nënkomisarit, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë grumbulluar fakte dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin se ky punonjës i policisë ka shpërdoruar detyrën duke vjedhur sendet personale të një shtetasi të ndaluar/arrestuar.

Ky vendim i gjykatës dhe veprimet e AMP janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të siguruar profesionalizmin dhe transparencën në radhët e policisë, si dhe për të garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.