Investimet gjermane formësojnë të ardhmen e Evropës

0

Kapitali dhe tregu i Gjermanisë kanë rëndësi vendimtare për Evropën. Norvegjia do të zhvillojë një degë të re energjetike me garancinë gjermane. Çekia e sheh një investim gjerman si vendimtar për të.

Habeck viziton NorvegjineMarrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Norvegjisë po përjetojnë një intensitet që nuk e kanë pasur më parë. Kancelari Olaf Scholz u takua vitin e kaluar tre herë me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre. Kurse zëvendëskancelari dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck në dhjetë muajt e fundit e ka vizituar Oslon dy herë, së fundi të enjten (05.01.2023).

Arsyeja imediate ka të bëjë me faktin se Norvegjia është bërë furnizuesja kryesor me gaz për Gjermaninë, që kur Rusia e ka ndërprerë thuajse plotësisht furnizimin me gaz. Një e treta e nevojës gjermane për gaz tani mbulohet nga Norvegjia. “Norvegjia dha një kontribut vendimtar në suksesin e çlirimit kaq shpejt nga gazi rus”, theksoi ministri i Gjelbër gjerman Habeck në Oslo. Por Norvegjia nuk ka ndihmuar vetëm në mbushjen e depozitave gjermane me gaz. Edhe terminalet e parë lundrues, që po sjellin gaz natyror të lëngshëm në Gjermani, mbajnë flamurin norvegjez.

Plotësimi i nevojave akute energjetike të Gjermanisë është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër ka të bëjë me një investim madhor energjetik të Norvegjisë për të ardhmen. Norvegjia ka interes të shndërrohet gradualisht nga furnizuese e gazit dhe naftës në furnizuese të hidrogjenit, për Gjermaninë dhe Evropën. “Ky është një shans unik, për të ndërtuar një industri të hidrogjenit në Norvegji”, deklaroi të enjten në Oslo presidenti i koncernit energjetik norvegjez Equinor, Anders Opedal. Një shans i tillë unik për Norvegjinë hapet, sepse ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania ka interes ta importojë këtë hidrogjen për industrinë e saj.

Bundeswirtschaftsminister Habeck besucht Norwegen

“Do të ndërtojmë një treg funksionues hidrogjeni”

Kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Støre deklaroi pas takimit me ministrin gjerman, se “ne e dimë se hidrogjeni ka rëndësi të veçantë për Gjermaninë, në tranzicion”(-in drejt energjive të gjelbra.) Prandaj, tha ai, “po bëjmë këtu deklaratën e përbashkët se do të ndërtojmë një treg funksionues hidrogjeni, me Norvegjinë si pjesë të këtij zinxhiri të vlerës së shtuar”.

Një treg për hidrogjenin krijohet vetëm me sisteme që e përdorin atë realisht, tha Habecku. “Duhet të jetë e qartë se një sistem i ri po vjen me të vërtetë”. Ai tha se vendimi për këtë u mor. “Let’s do it.”

Zëvendëskancelari gjerman deklaroi në Oslo se po të bëhet eksportuese e hidrogjenit, Norvegjia mund të bëhet pjesë e qëndrueshme e furnizimit gjerman me energji, siç e përfytyron këtë furnizim të së ardhmes Gjermania. Synimi i Gjermanisë është që brenda 22 vjetëve, deri në vitin 2045, të shkëputet nga energjitë fosile. Habecku kujtoi se “Norvegjia, që e ka ndërtuar pasurinë e saj ekonomike me naftë dhe gaz, do të ndryshojë, duhet të dekarbonizohet.”

Një pikë kyçe e partneritetit midis Gjermanisë dhe Norvegjisë do të jetë ndërtimi i një tubacioni për furnizim me hidrogjen midis dy vendeve. Deri në vitin 2030, qymyri, në furnizimin me energji të Gjermanisë, do të zëvendësohet kryesisht nga hidrogjeni, deklaroi ministri gjerman Habeck. Ka gjithashtu plane për të investuar në termocentrale me gaz, që mund të punojnë edhe me hidrogjen. Habecku tha se “ky hidrogjen mund dhe duhet të furnizohet nga Norvegjia”.

Zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck dhe kryeministri norvegjez, Jonas Gahr StøreZëvendëskancelari gjerman Robert Habeck dhe kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre 

Fillimisht është planifikuar të importohen sasi të mëdha të hidrogjenit të ashtuquajtur “blu”, të prodhuar nga gazi natyror. Më pas ai do të zëvendësohet nga “hidrogjeni i gjelbër”, i prodhuar duke përdorur energji të ripërtëritshme. Hidrogjeni më pranë, si një rrugë shprese për tranzicionin drejt energjisë së gjelbër – deklaratë më të gëzueshme nuk mund të ketë veçanërisht për Të Gjelbrit gjermanë.

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre nuk e fshehu kënaqësinë për biznesin e së ardhmes. “Kjo është një kohë kur Gjermania nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme për Norvegjinë”, tha ai.

Tregu energjetik botëror para ndryshimeve

Entuziazmi norvegjez për ofertën gjermane për të zhvilluar industrinë e hidrogjenit vjen kur tregu botëror i energjisë ndodhet para një rikonfigurimi të thellë. Kjo ka të bëjë me synimin e Kinës që ta rrisë ndjeshëm rolin e saj në tregun energjetik. Disa ekspertë mendojnë se Kina synon një rend të ri energjetik botëror.

Kësaj i shërben vendimi i fundit i Kinës për të rritur në mënyrë drastike në tre deri pesë vitet e ardhshme blerjen e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm – nga zotëruesit kryesorë të rezervave të naftës e gazit në botë. Ata janë Irani, Venezuela, Rusia e pjesë të Afrikës dhe vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC). Këto blerje Kina do t’i bëjë gjithnjë e më shumë në monedhën e vet kineze. Me shpresën që “petrodollari” të zëvendësohet gradualisht nga “petrojuani”. Analistët e Financial Times thonë se një kontroll i Kinës mbi më shumë rezerva energjetike e produkte të lidhura me to mund të sjellë pasoja të reja, si p.sh. të ndikojë në rritjen e inflacionit në vendet perëndimore. Prandaj jo vetëm Norvegjia, por e gjithë Evropa është e interesuar të regjionalizojë tregjet, të punojë që të krijohet një treg energjetik multipolar.

Volkswagen Logo

Lufta në Ukrainë dhe vendimi i Volkswagenit

Evropa Lindore është një shembull tjetër për faktin se investimet gjermane dhe ofrimi i tregut nga Gjermania mund të ndikojnë ndjeshëm ekonominë e vendit eksportues.

Katër vende evropianolindore konkurrojnë ndërkohë që të bëhen përfituese të një investimi madhor të koncernit automobolistik gjerman, Volkswagen. Në mars 2021, VW shpalli se një nga gjashtë fabrikat e baterive të automjeteve do ta ndërtojë në Evropën Lindore. Si vende investimesh janë në diskutim Çekia, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia.

Kjo deklaratë u bë para luftës në Ukrainë. Prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, çmimet e energjisë në Evropë janë rritur edhe më tej, duke bërë që aktualisht shumë investues të ngurrojnë të investojnë.

Në 9 dhjetor, Volkswageni deklaroi se në situatën aktuale do ta shtyjë vendimin për vendin se ku do të ndërtohet fabrika.

“Kur ke mundësinë të ndërtosh një fabrikë baterish në Evropë, ku energjia elektrike kushton 15 euro centi për kilovat orë, dhe kur në Kinë apo Amerikë ajo kushton 2-3 cent, ne nuk mund ta themi në interes të aksionerëve që do ta bëjmë këtu për solidaritet”, shpjegoi logjikën tregtare shefi i koncernit VW, Thomas Schäfer.

Prodhimi i baterive për automjete te fabrika e Volkswagenit në Salzgitter Prodhimi i baterive për automjete te fabrika e Volkswagenit në Salzgitter 

Investimet gjermane vendimtare për Çekinë

Kjo deklaratë u përjetua rëndë para së gjithash në Çeki, ku politika e ka shpallur prioritet parësor tërheqjen e investimit gjerman. Kjo pasi këtë investim industria automobilistike çeke e sheh vendimtar për të ardhmen e saj dhe veçanërisht për hopin e madh, tranzicionin në automjetet elektrike.

Aeroporti special Pilsen-Line në Çeki qe përmendur së fundmi si një vend konkret për fabrikën e baterive të VW në Evropën Lindore. Sipas Skoda-s, bijë e VW, ky vend do të ishte “i vetmi vend ku kërkesat e Volkswagen-it mund të përmbushen teknikisht”.

Kjo fabrikë do të sillte punësimin e të paktën 4500 punonjësve të rinj për industrinë automobilistike çeke, e cila siguron 10% të PBB të Çekisë dhe 25% të eksporteve të vendit.

VW sinjalizoi se nuk e ka tërhequr vendimin, por as do të ngutet për caktimin e vendit evropianolindor për fabrikën e baterive. Ndërkohë, disa media franceze i kujtojnë Republikës Çeke se fakti që Gjermania është gjithashtu tregu për një të tretën e prodhimit industrial çek e bën industrinë çeke shumë të varur nga Gjermania/DW

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu