TIRANË- Vit i ri, probleme të vjetra. Edhe pse data shënon 10 janar, mësuesit nuk kanë ende në llogari pagat për muajin dhjetor.
Një problematikë e përvitshme, me të cilën përballen disa profesione në administratë, kryesisht shëndetësia dhe arsimi që presin lëvrimin e këstit nga thesari. Është sindikata e mësuesve ajo që ngre shqetësimin, për të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar shprehet se do ta adresojë në kohë rekord, që sot. Vonesa në kalimin e pagave për administratën, jo vetëm mësuesit, është një problem që përsëritet çdo janar.
Mësuesit i drejtojnë gishtin e akuzës thesarit, ndërsa ministria zakonisht bën ping-pong duke akuzuar shkollat se nuk sjellin në kohë listën e punonjësve bashkë me ndarjen e detajuar të buxheteve të tyre për shkak të pushimeve zyrtare.
Në studion e “News 24”, drejtoresha e Sindikatës së Pavarur të Arsimit për Tiranën, Alma Lama, shpalosi disa nga problematikat që shqetësojnë mësuesit, duke e nisur që nga paga e vonuar në fillimvit.
“Pagat duhet të kishin kaluar në 4- 5 janar. Sektori ekonomik duhet ta ketë kaluar pagën e dhjetorit në thesar. Është thesari ai që po e vonon. Ne duhet të kishim pagat. Nuk është një situatë e papërsëritur. Gjithnjë në muajin janar kemi vonesë që shkon shumë ditë. Mendoj që sektori ekonomik duhet ta ketë kaluar pagën e dhjetorit në thesar, është ky i fundit që e vonon”. Ky është një shqetësim i ngritur nga mësuesit, por në korridore, jo hapur. Lama iu bëri thirrje të ankohen pranë “mësuesit dixhital” si dhe të ngrenë zërin për gjëra që i shqetësojnë.
Drejtori i Burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të arsimit parauniversitar, Fiqir Çifliku, u përgjigj shqetësimit të sindikatës brenda ditës, duke pranuar vonesën e rrogave si një problematikë të përvitshme, e cila do të zgjidhet shumë shpejt. “Situata është e përvitshme për pagën e janarit. Prej 20 vitesh thesari vepron në mënyrë të përqendruar. Në datën 4-6 është punuar intensivisht në përgatitjen e pagave dhe një pjesë e zyrave i ka çuar pagat në thesar në 5 dhe një pjesë në 6. Kjo situatë brenda ditës së nesërme është e ezauruar tërësisht. Nesër (sot) do ketë në llogari jo vetëm pagën por edhe shumën që ka përcaktuar qeveria në vlerën 10 apo 20 mijë lekë”. Pagat e mësuesve nuk kalojnë në një dtaë fikse të caktuar, por me radhë, sipas qyteteve. Zakonisht, nga data 2 deri në 4 apo 5 dhjetor. Dy vitet e shkuara janë hedhur në llogari një javë pas këtij afati, ndërsa sivjet, pas ngritjes së kësaj problematike me gjasë mësuesit do të paguhen për punën e kryer në dhjetor në dhjetëditëshin e parë të vitit.
/Marre nga Panorama