VLORË- Ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano ka aksidentuar një të mitur në Llogara. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 17.00 të pasdites, teksa po kalonte në rrugë. Menjëherë i mituri është dërguar në spital, ku edhe po merr ndihmën e parë mjekësore, por nuk dihen detaje të tjera lidhur me gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkohë që nga Policia e Vlorës ka bërë me dije se 66-vjeçari Bollano është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ku edhe po jep versionin e tij lidhur me ngjarjen e ndodhur.
NJOFTIMI I POLICISË:
Rreth orës 17:00, në Llogara, pranë fushës së sportit, shtetasi V. B., 66 vjeç, banues në Himarë, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar shtetasin E. H., 17 vjeç, këmbësor në rrugë, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i mjetit, shtetasi V. B, u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e mëtejshme për aksidentin.
Kush është Vasil Bollano?
Vasil Bollano është presidenti i Omonias dhe përfaqësues i minoritetit grek në Shqipëri. Më 21 prill 2009 ai u dënua me gjashtë muaj burg dhe gjobë 3,800 € për heqjen e tabelave, pasi kundërshtoi tabelat e vendosura nga autoritetet sepse ato ishin të shkruara vetëm në gjuhën shqipe. Në dhjetor 2009, pas një hetimi nga prokuroria e Vlorës, ai u akuzua për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare duke lëshuar leje ndërtimi të paligjshme përgjatë bregdetit jugor shqiptar. Më 24 maj 2010, një bombë shpërtheu në banesën e tij.