Pas një pune të koordinuar ndërmjet Policisë së Cërrikut dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, është realizuar arrestimi i një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht. Bëhet fjalë për 33-vjeçarin A. S., banues në Cërrik, i cili ishte shpallur në kërkim nga Gjykata Themelore e Pejës për veprime kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjykata e Pejës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzat e “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepra penale të parashikuara në Kodi Penal të Republikës së Kosovës.
Arrestimi i tij është mundësuar si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes Komisariatit të Policisë Cërrik dhe autoriteteve kosovare. Aktualisht, Interpol Tirana po punon ngushtë me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë për të realizuar ekstradimin e 33-vjeçarit në Republikën e Kosovës për t’u përballur me akuzat ndaj tij.
Ky arrestim është një tjetër shembull i angazhimit të Policisë për të luftuar veprimtaritë kriminale dhe për të garantuar drejtësinë në përputhje me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.