Ja si do njoftohen pensionistët për datën, orën dhe vendin e vaksinimit

0

ADA HAZIZOLLI/ Ashtu siç ishte paralajmëruar, nisi të dielën vaksinimi i personave mbi 70 vjeç. Në dy stendat e ngritura dje në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, qytetarët e njoftuar përmes mjekut të familjes morën dozën e parë të vaksinës.

vaksinimi

Por edhe në këtë rast nuk munguan keqkuptimet, ku krahas atyre që ishin lajmëruar, kishte edhe të tjerë që qëndronin në pritje, pavarësisht se nuk e kishin emrin në listë. Por cila do të jetë radha e vaksinimit dhe si do të njoftohen të moshuarit? Ministrja Manastirliu sqaroi të shtunën se grupmoshat mbi 85 vjeç dhe mbi 80 vjeç do të vaksinohen pranë qendrave shëndetësore. Ndërsa grupmoshat mbi 75 vjeç dhe mbi 70 vjeç do të injektojnë dozat anti-Covid në qendrat e posaçme të vaksinimit të ngritura nga Ministria e Shëndetësisë.

VAKSINIMI

Siç përcaktohet edhe në planin e vaksinimit, personat më të moshuar do të kenë përparësi, çka do të thotë se një 80- vjeçar s‘mund të vaksinohet përpara një 81-vjeçari, përveçse në rastet kur kushtet shëndetësore e lejojnë këtë. Pra, nëse një 81-vjeçar s’mund të vaksinohet në këtë fazë për shkak të problemeve shëndetësore, atëherë radha i kalon një tjetri. Por edhe më e rëndësishme është mënyra se si do të njoftohen për vendin, datën dhe orën se kur do të vaksinohen.

Në çdo rast janë mjekët e familjes ata të cilët me operatorët e kujdesit shëndetësor koordinojnë gjithë procesin dhe përcaktojnë kalendarin e vaksinimit, bazuar mbi databazën e të dhënave të çdo personi që mbulojnë me shërbim shëndetësor. Filtri i parë që aplikohet është viti i lindjes, përzgjidhen personat, merret dakordësia e tyre, hartohen listat, të cilat i dërgohen njësisë vendore dhe operatorit të kujdesit shëndetësor dhe caktohet dita apo data kur do të injektohet edhe doza e parë. Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, tha dje se të moshuarit njoftohen përmes mjekut të familjes, i cili jep informacion për fashën orare se kur do të kryhet vaksina. “Në qendrat shëndetësore po vaksinohen grupmoshat plus 80.

Të gjithë mjekët e familjes janë në komunikim me të moshuarit dhe të moshuarit kanë kontaktuar mjekun e familjes dhe nëse janë në këtë grupmoshë, njoftohen në fasha orare për vaksinën. Ka një orë të caktuar, mjekët e familjes i kanë njoftuar të gjithë pacientët për fashën orare. E njëjta gjë do të funksionojë edhe në rrethe. Kemi vaksinim masiv të përqendruar në Tiranë, Elbasan, Shkodër, në qytet më të vogla do të vijojë në qendrat shëndetësore. Kemi thënë për numrin 08004040 ku çdo individ që nuk e njeh mjekun e familjes mund të informohet se kush është mjeku i tij i familjes”, tha Cami.

APLIKIMET NË PORTAL

Por nga sot do të nisë edhe rezervimi përmes portalit “eAlbania”. “Do të lajmërohen nga mjeku i familjes, por do t’u japim mundësinë qytetarëve që edhe të mundet të aplikojnë apo të kërkojnë për t’u vaksinuar apo të kërkojnë që të dinë datën e vaksinimit. Mjafton që të kontaktojnë me mjekun e familjes dhe të bëjnë kërkesën te mjeku i familjes. Por nga dita e hënë do të ketë edhe nëpërmjet portalit ‘e-Albania’ një aplikim të përcaktuar për kërkesë për vaksinim”, tha më herët ministrja Manastirliu.

TRI VAKSINA

Prej fillimit të procesit të vaksinimit në total në vendin tonë janë administruar 282 mijë doza vaksine dhe deri më tani janë kryer mbi 65 mijë doza. Aktualisht në dispozicion janë tri vaksina, përkatësisht “AstraZeneca”, “Sputnik” dhe “Sinovac” apo vaksina kineze. Përzgjedhja do të jetë rastësore. Çka do të thotë se nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore nuk ka një udhëzim specifik se kush do të marrë kë. Të tria vaksinat mund të ruhen në temperaturë +2 deri në +8, ndaj edhe infermierët do të aplikojnë vaksinën që kanë gjendje.

RAMA

Kryeministri Rama ripërsëriti dje se deri në fund të majit synohet që të kryhen gjysmë milioni vaksina. Për t’u përmbushur kjo duhet që në harkun e 24 orëve të kryhen mbi 7200 vaksina në ditë. “Tanimë u hap rruga për vaksinimin masiv, të shpejtë. Të gjitha qendrat shëndetësore në territorin e Republikës së Shqipërisë aktualisht kanë filluar vaksinimin. Janë edhe pikat e vaksinimit të përqendruar që ndihmojnë për të rritur intensitetin. Objektivi ynë është që brenda muajit maj të kemi të vaksinuar gjysmë milioni qytetarë. Kemi vënë një afat, qershorin, për çdo eventualitet që të mos na thoni mbrapa që s’e mbajtët fjalën, sepse na mësoi eksperienca që ka gjëra të paparashikuara, por besoj që brenda majit do të do të kemi gjysmë milioni qytetarë të vaksinuar dhe kam bindjen e plotë që do të ecim shumë shpejt pasi kemi siguruar sasi të konsiderueshme. Vazhdojmë punën për të siguruar të gjitha sasitë e nevojshme dhe besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhen zinxhirit të infektimeve”, tha Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu