Kancelari gjerman poston foto në stilin e piratit: I emocionuar po i pres memet

0

Kancelari gjerman, Olaf Scholz të hënën ka postuar në “Twitter” një foto në stilin e piratit me një njollë të zezë në sy dhe mavijosje në të kuqe të errët në anën e djathtë të fytyrës si rezultat i një aksidenti gjatë vrapimit në fundjavë.

“Jam i emocionuar për të parë memet”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotos.

Për të shmangur çdo shqetësim të mundshëm për shëndetin e tij, në foton, e cila duket se është bërë në kancelari, Scholzi ka buzëqeshur lehtë dhe gjithashtu ka shkruar: “Faleminderit për urimet, duket më keq se sa është!”.

Scholzi është rrëzuar derisa po vraponte të shtunën dhe ka pësuar mavijosje në fytyrë, duke e shtyrë atë të anulonte disa takime këtë fundjavë, ka njoftuar qeveria gjermane.

Të dielën, lideri 65-vjeçar gjerman ka anuluar takimet në rajonin qendror të Hesse, ku do të mbahen zgjedhjet shtetërore më 8 tetor. Megjithatë, ai pritej të merrte pjesë në daljet publike më vonë të hënën në Berlin.

Mediet lokale kanë raportuar se Scholzi është rrëzuar duke vrapuar në qytetin e tij të lindjes, Potsdam, i cili ndodhet 28 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit gjerman.

Scholz ka udhëhequr Gjermaninë që nga dhjetori i vitit 2021. Ai ka shërbyer më parë si ministër i financave dhe punës i vendit dhe si kryetar bashkie i Hamburgut.

Në një profil në uebsajtin e partisë së tij, Scholzi ka thënë se ai e urrente sportin kur ishte në shkollë, por kishte filluar një shije për të nga gruaja e tij, Britta Ernst. “Sot bëj vrap sa më shpesh që mundem”, ka thënë ai.

Scholzi ka thënë se ai përpiqet të gjejë kohë për vrapim, vozitje ose ecje dy ose tre herë në javë dhe gjithashtu kënaqet me çiklizmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu