Kapet sërish kokainë në kontenierët e “Alba Exotic Fruit”

0

Një tjetër sasi lënde narkotike kokainë është kapur në portin e Durrësit në kontenierët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”.

Policia bën me dije se gjatë operacionit të koduar “Rada”, u zhvilluan kontrolle gjatë pasdites së sotme dhe si rezultat i veprimeve hetimore u gjet dhe u sekuestrua 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

“Në vijim të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, e duke vijuar përsëri në datën 23.07.2021, ku u gjetën dhe sekuestruan 6.5 kilogramë të tjera lëndë narkotike kokainë, mbaditen e sotme si rezultat i veprimeve hetimore, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një tjetër sasie lëndë narkotike kokainë.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit në disa kontenierë për llogari të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u gjet dhe u sekuestrua 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Edhe më 23 korrik, u ushtrua kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Ndërsa më 13 korrik u kapën më shumë se 11 kg kokainë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu