TIRANË- Ambasadori King-Smith ka mbërritur në Ministrinë e Jashtme, ku dhe do t’i jepet nota e protestës që Ministria për Punët e Jashmte komunikoi një ditë më parë, pas publikimit të videos së ministrit britanik, Robert Jenrick, i cili bënte thirrje për ndalimin dhe dëbimin e shqiptarëve. Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale. Përmes kësaj Note, MEPJ thotë se dënon gjuhën diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. Sipas MEPJ, gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve duhet shmangur dhe të dyja vendet duhet të kenë frymë bashkëpunimi.
Njoftimi:
Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cënon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare. Të vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.
Çfarë tha Jenrick?
Ministri britanik Robert Jenrick është shprehur i entuziasmuar që skuadrat e policisë së Britanisë së Madhe po punojnë në dëbimin e shqiptarëve, qoftë atyre që kanë hyrë në mënyrë ilegale në vend, por edhe atyre që janë në burg pasi janë dënuar për vepra të ndryshme penale. Në një video të postuar në rrjetet sociale një ditë më parë, ai dëgjohet të thotë se skuadrat po punojnë për të gjetur e për të ndaluar shqiptarët, në mënyrë që të gjithë të nisen me avion drejt Tiranë. Sipas Jenrick, kjo është vetëm një pjesë e planit për të pasur një komunitet të sigurtë dhe për të rivendosur drejtësi.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.
Një e mbijetuar e Holokaustit ka thënë për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.