“Keqadministrimi i përsosur”/ Pasojat e pandemisë dhe luftës në ekonomi

0

Pandemia Covid-19 dhe lufta në kufijtë lindorë të Europës, Ukrainë, janë dy ngjarje nga më ekstremet të ndodhura në një kuadër kohor dyvjeçar (2020-2022).

Këto ngjarje me tipare të theksuara paqartësie dhe pasigurie, për ecurinë e kohëzgjatjen e tyre, kanë prodhuar një sërë pasojash zinxhir në ekonominë botërore, si çrregullimet në rrjetin e furnizimeve, tregun e punës, emigracionin, pompimin e parave në ekonomi, rritjen e përgjithshme të çmimeve dhe eventualisht të inflacionit, theksimin e presioneve për rritje të normave të interesit në ekonomi, etj.

Nëse pandemia ishte e mjaftueshme për të shkaktuar gjithë këto çrregullime, lufta në Ukrainë i hodhi benzinë zjarrit. Çmimet e energjisë (karburanti dhe e pritshme në energjinë elektrike), të ushqimeve, duke pasur parasysh importet e Europës nga dy shtetet e përfshira në konflikt, pësuan një goditje të menjëhershme.

Pasiguria e paqartësia po shtohen, pasi sanksionet e ndërmarra nga bota demokratike kundër agresorit, po hedhin ekonominë në terrene të reja. Masat e natyrës së bojkotimit janë shtrirë në sistemet e pagesave (largimi i bankave nga SWIFT), tërheqjen apo ndërprerjen e aktivitetit në territorin e shteteve në konflikt etj., janë të paprecedenta.

Pasiguria në lidhje me furnizimet me ushqimet bazë (drithi) ka imponuar të tjera sjellje ekstreme ekonomike në shtete me largësi fizike nga konflikti. Të paktën dy nga shtetet e trinomit të Ballkanit të Hapur kanë shpallur bllokim të eksporteve të drithit apo produkteve të tjera.

E gjithë kjo situatë është rrjedhojë e një kombinimi ngjarjesh të pazakonta, që duke u shfaqur së bashku, prodhojnë rezultat shkatërrimtar, situatë e cila, në terminologjinë ekonomike, njihet si “Perfect storm” (stuhia e plotë apo e përsosur).

Ekonomia shqiptare, për aq sa është e lidhur dhe e ndërvarur nga ekonomia botërore, sidomos ajo europiane, nuk mund t’u shpëtojë pasojave të kalimit të kësaj stuhie të përsosur. Do të ishte naivitet të pritej e kundërta dhe pasojat kanë filluar të ndihen.

Shqetësimi dhe diskutimi kryesor është përqendruar në rritjen e çmimit të karburanteve dhe nënçmimin këto ditë të monedhës vendase, por po ndikohet e gjithë ekonomia. Ngjarjet kanë hyrë në një cikël spiral, ku rritja e çmimeve të importuara po shndërrohet në rritje të kostove e çmimeve të brendshme, në reduktim të konsumit me ndikim më afatgjatë në reduktim të investimit.

Ekonomia shqiptare do ta kalojë, pa as më të voglin dyshim, këtë valë goditjeje. Diskutimi nuk mund të shtrohet pse po rriten çmimet. Sa kohë kemi pranuar të gjallojmë e veprojmë në ekonomi tregu me lidhje me pjesën tjetër të botës, sigurisht dhe ne do të përjetojmë valët e ngjarjeve të mira dhe të këqija të ekonomisë botërore.

Diskutimi duhet të shtrohet në mënyrën se si po menaxhohet kjo stuhi e përsosur dhe sa jemi të përgatitur për t’u përballur me të. Për fat të keq, në rrethana të tilla ekstreme, dalin në pah më fort të gjitha problematikat dhe keqveprimet e institucioneve shtetërore, mungesa e vizionit dhe e strategjive për mbështetjen e ekonomisë.

E thënë ndryshe, del në pah papërgjegjshmëria në administrimin ekonomik të vendit.

Mungesa e rolit rregullator të shtetit, favorizimi i monopoleve dhe i një grupi biznesesh klientelë me fonde publike, qasja jostrategjike në vendosjen e tatimeve (lloje dhe nivele) por të nxitur nga nevoja e momentit për të mbushur buxhetin (siç pritet të ndodhë me rritjen e përgjithshme të paralajmëruar të taksave e tatimeve), rritja e pakujdesshme e borxhit publik, shpërdorimi i parasë publike duke i orientuar ato, ose në investime të panevojshme, ose në investime shpërdoruese, për shkak të natyrës korruptive, administrata e fryrë dhe që rezulton përditë e më shumë e paaftë të drejtojë strategjikisht vendin, bën që ekonomia shqiptare t’i ndiejë krizat me fuqinë e tyre më të plotë të shkatërrimit.

Bordet e vendosjes së çmimeve, apo kontrollet urgjente në terren, në forma gjobëvënieje janë thjesht metoda propagandistike, jo mënyra administrimi.

Tregu i hidrokarbureve, për shembull, që ka marrë goditjen e parë, mbështetet me një kuadër ligjor që, veç të tjerave, rregullon rezervat strategjike, pikërisht atë komponent që zbut raste të tilla.

Mbajtja të papërdorshëm e TEC-it të Vlorës, një investim i KESH prej 100 milionë eurosh dhe kryerja e kontrolleve (e shpallur më 12 mars) për rezervat e hidrokarbureve, mbasi ka mbi dy javë që ka filluar lufta (24 shkurt) tregon shkurtpamësi, paaftësi strategjike dhe është veçse një veprim propagande.

Këto janë, më së paku, dy ushtrime që mbeten t’i zgjidhë qeveria, por kurrsesi nuk janë ushtrime administrimi.

Administrimi i vendit dhe i ekonomisë ndodh çdo ditë e rregullisht. Zgjidhja e punëve me aksion me goditje të përqendruar asnjëherë nuk ka dhënë rezultate afatgjata dhe të dobishme. Në Shqipëri, të paktën e dimë shumë mirë këtë.

Kjo situatë madje i dha goditje të fortë dhe në aspektin ekonomik projektit të “Ballkanit të hapur”, si një projekt që do të rriste varësinë ekonomike të Shqipërisë dhe në rrethana si kjo e sotmja, e rrezikojnë ta lënë edhe pa produktet bazë ushqimore.

Drejtimi i duhur është i qartë. Duhet të mendohet strategjikisht për zhvillimin e ekonomisë, duhet nxitur integrimi ekonomik me ekonominë tjetër shqiptare të rajonit, atë të Kosovës, dhe të diversifikohen marrëdhëniet ekonomike, duhet të reduktohet oreksi për korrupsion, sepse janë shteruar burimet për vjedhje dhe nevojitet të nxitet konkurrenca e sektorët prodhues.

Në afat të shkurtër, mjafton të marrim të njëjtat masa që po marrin shtetet përreth, ku elementi i parë është heqja dorë nga planet për rritje taksash dhe shpenzimesh publike të padobishme. Ka ardhur koha të hiqet dorë nga, në rastin më të mirë, “Keqadministrimi i përsosur!”..
EDITORIAL MONITOR /

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu