Kërkonte të vriste një 24-vjeçar/ Policia jep detaje për atentatin e regjistruar në Elbasan

0

Policia e Elbasanit ka finalizuar një operacion policor të koduar “Plani” me sukses. Operacioni kishte si qëllim parandalimin e një ngjarjeje kriminale, ku një shtetas me precedent kriminal kishte planifikuar të vriste një 24-vjeçar të dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Policia, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, ka organizuar punën për parandalimin e kësaj ngjarjeje dhe lokalizimin e shtetasit të dyshuar.

Në rezultat të kontrollit të policisë në terren, 23-vjeçari, i cili dyshohet se kishte planifikuar vrasjen, nuk mundi të kryente veprimin pasi u përball me praninë e policisë. Ai hodhi armën e zjarrit në rrugë dhe u largua për t’u shmangur arrestimit. Shtetasi 23-vjeçar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë veprimeve hetimore për këtë rast, policia ka kryer kontroll në banesën e një 41-vjeçari, i cili ka një lidhje shoqërore me 23-vjeçarin. Në banesë u gjetën drogë, armë zjarri dhe municion luftarak. Sekuestrohen 2 armë zjarri (1 kallashnikov dhe 1 PMSH), municion luftarak, lëndë narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë.

Si rezultat i veprimeve hetimore, 41-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe u shpall në kërkim shtetasi 23-vjeçar dhe një shtetas tjetër, 22-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i 23-vjeçarit në kryerjen e ngjarjes kriminale.

Hetimet e thelluara po vijojnë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Gjithashtu, vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu