Këta janë babë e bir të marrë peng në bordin e anijes së rrëmbyer në Nigeri. Zbulohet biseda e fundit e të riut

0

“Jam në Portin “Harcourt”, më parë ishim në Lagos. Ka mundësi të rikthehemi sërish në Lagos për të ngarkuar. Jemi ngarkuar në Turqi me ushqime pluhur dhe me gips pluhur që e sollëm këtu. Këtu ka mundësi të marrim hekur për ta dërguar në Europë. Këtu në Lagos Irland është mirë, ka ndërtesa të mëdha, ka edhe shumë të huaj sepse njihet si qendër biznesi, sepse është port i madh”. Kjo është pjesë nga biseda e bërë për herë të fundit mes Mark Shytanit dhe një të njohuri të tij para se të humbiste çdo kontakt bashkë me të atin, Ndoj Shytani.

Mediat e huaja raportojnë se të paktën 9 persona janë marrë peng nga piratët në Nigeri dhe kërkojnë para për t’i lënë të lirë. Anija në të cilët udhëtonin rreth 18 persona mes tyre edhe dy shqiptarët, babë e bir me origjinë nga një fshat i thellë i Shkodrës, Shllak që jetojnë prej 20 vitesh në Tiranë është lënë e lirë bashkë me një pjesë të ekuipazhit.

Fax News mëson se Ndoj Shytani 55-vjeç kishte diçka më shumë se një vit që punonte si mekanik anijesh ndërsa më parë kishte punuar si elektriçist në Tiranë. Më vonë kishte marrë edhe të birin me vete, punë që ia kishte mësuar ai, Mark Shytanin 26-vjeç. Së bashku si marinarë ata udhëtonin në bordin e anijes “Stevia”. Pronari i anijes është Nikolin Gjergji, ndërsa malli që transportohej në të ishte i kompanisë “Envi and E.E.”

Anija raportohet se është marrë peng që të Mërkurën e kaluar ndërsa vetëm ditën e djeshme është bërë me dije se mbi të udhëtonin edhe shqiptarë. “STEVIA” u mor peng nga piratët rreth 52 kilometra larg brigjeve të Nigerisë ndërsa një pjesë e ekuipazhit dhe vetë anija janë lënë të lirë, por 9 prej punonjësve nuk kanë pasur të njëjtin fat.

Deri ditën e djeshme celulari i Mark Shytanit thonë burime për Fax News ka dalë i ndezur, ndërsa prej 24 orësh nuk rezulton aktiv për rrethana që nuk dihen, ndërsa mediat e huaja raportojnë se nga informacionet zyrtare të konsullatave dhe zyrave diplomatike, pengjet nuk janë dhunuar.

Mjeti lundrues është blerë nga Nikolin Gjergji në Bullgari pranverën e këtij viti, ndërsa anija mbante flamurin Kamerunit dhe rezulton e regjistruar në shtetin e Kamerunit ku kishte ndaluar të blinte edhe ngarkesa me destinacion Portin e Lagos. Burime bëjnë me dije se piratët kërkojnë para për lirimin e pengjeve por që Shqipëria nuk ndërhyn dot pasi gjithçka varet nga Kameruni dhe Bullgaria ku ishte blerë mjeti.

Nikolin Gjergji, pronari i anijes deri më tani nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar dhe publik mbi të dhënat që ai ka. Mësohet se Anija ka qëndruar për rreth 15 ditë e ankoruar në brigjet turke bashkë me ekuipazhin për shkak se nuk ishte dhënë leja e lëvizjes.

Një burim i tha Fax News se Ndoj Shytani ishte rritur jetim, ndërsa të njëjtin fat kishte pasur edhe i biri i tij, Marku të cilin nëna e kishte lënë që të vogël. Ata jetonin në Tiranë bashkë me vëllain e Ndojit, Ndrec Shytanin, ndërsa Marku ka edhe një motër të martuar që jeton në Itali.

6 personat e tjerë të marrë peng janë marinar ukrainas dhe një kapiten nga Siria. Burime pohojnë se edhe konsullata shqiptare në Egjipt është vënë në dijeni për ngjarjen dhe ka bërë tentativa negocimi. Anija gjendej në radën e jashtme të Portit të Lagos kur ka rënë pre e piratëve nigerian të cilët nuk kanë rrëmbyer anijen por kanë mbajtur peng të paktën 9 pjesëtarë të ekuipazhit.

Kjo nuk është hera e parë që në këtë rajon ndodhin ngjarje të tilla, pasi e fundit ndodhi në Korrik të këtij viti ku 6 marinarë ukrainas u mbajtën peng nga piratët 1 muaj e gjysëm dhe më pas u lanë të lirë në fillim të Shtatorit. Zona e Gjirit të Guinesë është rajoni më aktiv ekonomik dhe i pasur me naftë i Afrikës ndërsa aktiviteti i piratëve në rajon është rritur vitet e fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu