Kodi Rrugor: Ashpërsohen gjobat nëse nuk rinovon siguracionin brënda një muaji

0

Drejtuesit e mjeteve që nuk përtërijnë kontratën e sigurimit të detyrueshëm pas 30 ditësh nga përfundimi i vlefshmërisë së saj do të gjobiten automatikisht.

Qeveria shqiptare ka paraqitur për miratim në Kuvend ndryshimet në Kodin Rrugor, që, veç të tjerash, synojnë të shtrëngojnë masat për mjetet që qarkullojnë të pasiguruara për dëmet që mund të shkaktojnë ndaj palëve të treta. Cilido që qarkullon me një mjet për të cilin ka kaluar mbi 30 ditë afati i sigurimit të detyrueshëm, do të ndëshkohet me gjobë nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë.

Rregullat dhe procedurat për vendosjen e gjobës do të përcaktohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Qendra e Informacionit, e krijuar sipas ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, duhet të njoftojë menjëherë organet e ngarkuara nga ligji për regjistrimin e mjeteve dhe ato të kontrollit të qarkullimit rrugor mbi mjetet e pasiguruara, me qëllim që ato të ekzekutojnë masat administrative të parashikuara në ligjin e ri.

Ndryshimi ligjor ishte kërkuar nga Shoqata e Siguruesve Shqiptarë, që madje pati propozuar që automjetet të cilat nuk rinovonin kontratën e sigurimit brenda 30 ditësh të çregjistroheshin automatikisht nga drejtoria përkatëse e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Qeveria ka pranuar frymën e propozimit, por me një formë më të butë, duke e kufizuar ndëshkimin në gjobë.

Qëllimi i këtij ndryshimi në ligj është të kufizojë numrin e mjeteve të pasiguruara. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për vitin 2019 kompanitë e sigurimeve raportuan 491 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorrik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, ndërsa numri i mjeteve të aktive ose të çregjistruara vetëm përkohësisht për të njëjtën periudhë ishte 629 mijë. Diferenca mes këtyre shifrave është rreth 138 mijë mjete ose 22% e totalit të tyre, që rrjedhimisht rezultojnë të pasiguruara.

Sipas ligjit, pagesa e dëmeve nga mjetet e pasiguruara është detyrim i Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, që financohet direkt nga kompanitë e sigurimeve. Që nga fillimi i vitit 2016, Fondi ka paguar rreth 25 milionë euro dëme, një pjesë e madhe e të cilave ishin të bartura prej vitesh. Sigururesit shpresojnë që masat e reja shtrënguese në Kodin Rrugor do ta ulin numrin e mjeteve të pasiguruara dhe do të lehtësojnë barrën e dëmeve për Fondin e Kompensimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu