Krijohet pyetësor i ri që diagnostikon autizmin me saktësi 95%, ekspertët: Të standardizohet dhe në Shqipëri

0

Pyetësori i ri që do të plotësohet nga prindërit shtron pyetje në lidhje me sjelljen e fëmijës dhe mënyrën se si ata reagojnë ndaj shenjave sociale.

TIRANË- Hulumtuesit kanë zhvilluar një pyetësor me 39 pika për të ndihmuar prindërit në procesin e vështirë të diagnostikimit të ndërlikuar të autizmit.

Ky është zhvillimi më i fundit premtues në depistimin e autizmit, që vjen vetëm disa ditë pasi zyrtarët filluan procesin e miratimit për një test që mund të zbulojë çrregullimin nga një fije floku e vetme. Pyetësori i ri që do të plotësohet nga prindërit shtron pyetje në lidhje me sjelljen e fëmijës dhe mënyrën se si ata reagojnë ndaj shenjave sociale.

Migena Kika, logopede tregon për Gazetasi.al se ky është një pyetësor që përdoret specifikisht për të hedhur hijen e dyshimit nëse një fëmijë është i prekur nga spektri i autizmit.

“Ne përdorim 2 lloj testesh, testet e screening dhe testet diagnostike. Testet screening janë ato lloj testesh të cilat të japin ty një përgjigje se sa rrezik dhe sa probabilitet ka një fëmijë për të zhvilluar një çrregullim të autizmit. Më pas diagnoza duhet të konfirmohet nga një profesionist”, thotë Kika duke shpjeguar se në përgjithësi këto teste rekomandohen që të bëhen rreth moshës 18 muajsh dhe më pas të bëhen teste të tjera rreth moshës 2 vjeç për të identifikuar fëmijët që janë në rrezik për autizëm.

Kika shpjegon se në Shqipëri, ashtu si në Amerikë, përdoret një pyetësor që quhet M-CHAT-R (Modified Checklist for Autism in Toddlers) i cili është standardizuar për popullsinë shqiptare dhe duhet të ekzekutohet nga pediatrit e shërbimit dhe më pas, nëse ka dyshime që fëmija vuan nga autizmi, duhet të bëhet një vlerësim i mirëfilltë.

Bëhet fjalë për një pyetësor shumë të thjeshtë që duhet të plotësojnë prindërit dhe Kika thotë se do të ishte mirë që ky pyetësor i ri të përkthehej dhe standardizohej.

“Sigurisht që të përdoret ky test i ri duhet të bëhet i përshtatshëm për popullsinë shqiptare dhe në fakt testi që përdoret tani ka efektivitet pak më pak se ky test i ri”.

Por, logopedja shton se duhet pasur shumë kujdes që prindërit ta dinë se nuk është një test që vë diagnozën për fëmijën, thjesht vlerëson faktorët e rrezikut. Gjithashtu, ky test i ri nuk është se ndryshon shumë nga testet e tjera në sensibitet dhe ndjeshmëri dhe në varësi të mënyrës se si vlerëson një vend mund të zgjedhë se cilin test të përdori. E rëndësishme është se këto pyetësor duhet të bëhen patjetër sepse “sa më shpejt që të dyshohet diagnoza, sa më shpejt që të vendoset diagnoza, aq më shumë ndryshon trajektorja e zhvillimit të fëmijës”.

Edhe logopede Aurora Lushej specifikon për Gazetasi.al se asnjë test i realizuar nga familjarët nuk zëvendëson vlerësimin e fëmijës nga ekipi multidisiplinar (mjeku psikiatër për fëmijë e adoleshentë, neuropediatër, logoped, psikolog, fizioterapist, terapist i sjelljes).

“Testi në fjalë mund të rrisë vigjilencën e prindërve dhe ndërgjegjësimin e tyre, duke i nxitur që të drejtohen tek specialistët në moshë të hershme të fëmijës”.

Në tërësi ky është qëllimi i testeve orientuese për prindërit.

“Mendoj se në Shqipëri është rritur ndërgjegjësimi i prindërve ndaj zhvillimit të fëmijës dhe nëse do kenë akses në këtë test, mund ta përdorin por sërish i qëndroj pikës më lart që takimi me specialistët është i pazëvendësueshëm. Prindi e shikon fëmijën e tij me sytë e një prindi, specialisti e vëzhgon e vlerëson në mënyrë profesionale”, shpjegon Lushej.

Nga ana tjetër, specialistët patjetër që mund ta përdorin si test dhe të vëzhgohet sa i vlefshëm është, duke qenë se është gjithëpërfshirës pa dallim race, gjinie, moshe dhe etnie.

“E mira është të standardizohen teste të tilla dhe në shqip që aksesi të jetë më i lehtë si nga specialistët po ashtu nga familjarët”, përfundon Lushej.

Studiuesit nga Universiteti John Carroll në Ohio e përshkruan sondazhin si një ‘përparim të madh’ në diagnostikimin e autizmit.

Ata pretenduan se testi ishte midis 55 dhe 95 për qind i saktë në zbulimin e autizmit, në varësi të asaj se sa të rënda ishin simptomat e fëmijës dhe ishte i besueshëm sipas moshës, gjinisë, racës dhe përkatësisë etnike. Së bashku me shqyrtimin për autizmin, testi gjithashtu mund të gjurmojë dhe monitorojë simptomat e autizmit me kalimin e kohës./GazetaSi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu