Nënkryetar i LSI dhe deputet i kësaj force politike, Petrit Vasili, ka ngritur alarmin e madh sot për situatën energjitike në vendin tonë, e cila po shkon drejt kolapsit total. Ligjvënësi opozitar ndalet me fakte te zhvatja krimilane e dyfishtë, siç e quan ai sjelljen e qeverisë:
“Niveli në Fierzë, 256 m! 200 milionë dollarë borxhe të Ujesjellës-Kanalizimeve ndaj OSHE. Administrimi korruptiv dhe mafioz i energjisë e ka sjellë këtë situatë energjitike shumë, shumë të rëndë dhe ky është shkaku i vetëm. Kjo s’ka asnjë lidhje me luftën në Ukrainë, por me planin rilindas të zhvatjes mafioze të qindra-milionë eurove.
Qeveria nuk ndalet në grabitjet e saj masive dhe në zhvatjen dy herë të qindra-milionë eurove me energjinë. Grabitja e parë ishte kur Edi Rama dhe të tijtë bënë shitje të pandalshme të energjisë për një vit rresht dhe e çuan me qëllim sistemin drejt kolapsit, për të justifikuar më pas blerjen dhe përfitimet marramendëse prej saj.
Kjo grabitje mafioze e planifikuar është shumë e qartë, sepse kombinimin importim energjie dhe ruajtje e rezervës energjitike e di edhe më fillestari. Sot kuota në Fierzë është vetëm 256 metra dhe rezerva energjitike është shpartalluar krejt. Niveli 240 metra do të ishte vdekja përfundimtare. Blerja e energjisë përmes importit është rruga e qëllimshme dhe e detyruar, që imponoi qeveria për interesat e saja zhvatëse.
Grabitja e dytë pason të parën, pasi tani Edi Rama do të blejë energji me çmim të paktën 6 herë më të lartë se sa energjia e vendit që u shit me rreth 40 euro MWh, ndërsa mesatarja e blerjes këto kohë ka qenë 250 euro MWh.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Edi Rama dhe të tijtë do të blejnë mesatarisht 3.5 milionë euro në ditë energji, që do të thotë qindra-milionë euro për muajt në vijim. Kjo do të ishte zhvatje shkatërrimtare për shqiptarët dhe rrënim i ekonomisë së vendit. Ndërkohë, administrimi kriminal i sistemit energjitik ka sjellë borxhe të frikshme, ku vetëm Ujësjellës-Kanalizimet i kanë një borxh prej 200 milionë dollarë OSHE-së.
Ky administrim ka bërë që humbjet në rrjet të jenë rreth 21%, kur ato do duhej të ishin 19% që në vitin 2019, sipas strategjisë së energjisë. OSHE është kthyer në një ndërmarje gjigande elektorale për blerje votash dhe një lubi e korrupsionit që ka marrë vetëm tre muajt e fundit rreth 300 milionë euro kredi për të mbuluar humnerën e korrupsionit.
Borxhi i saj vetëm prej Ujësjellës-Kanalizimeve tregohet në relacionin e projekt-buxhetit 2022, që u miratua në Parlament në dhjetor 2021. Lexoni vetë çfarë shkruhet në relacion: “Detyrimet e shoqërive të Ujësjellës – Kanalizimeve ndaj OSHEE Group Sh.a vazhdojnë të mbeten në një vlerë të konsiderueshme.
Totali i këtyre detyrimeve deri në qershor 2021, sipas Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, pas rakordimit të të dhënave me OSHEE Group, raportohen të jenë në vlerën e 20.37 miliardë lekëve”.