Kukës, inaugurohet Qendra Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke

0

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR, ka ngritur Qendrën Rinore Ndërkulturore Shqiptaro-Turke në Kukës të Shqipërisë, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga zyra e TIKA-s në Tiranë thuhet se qendra është hapur me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri dhe 100-vjetorit të Republikës Turke.

Në ceremoninë e inaugurimit të qendrës ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, mësues, nxënës dhe prindër.

“Qendra multifunksionale rinore e themeluar në kuadër të Qendrës Kulturore ‘Hasan Prishtina’ u mundëson të rinjve të trajnohen dhe të zhvillojnë aktivitete në shumë fusha si mësimi i gjuhës turke, muzikë, pikturë dhe kërcim. Qendra ka edhe një bibliotekë me libra shqip dhe turqisht”, thuhet në njoftim.

Çevik, nga ana e tij, ka theksuar në fjalën e tij se shqiptarët dhe turqit kanë pasur përvojën e të jetuarit së bashku në shekuj.

“Besoj se kjo qendër në Kukës do të kontribuojë për paqen dhe kulturën e bashkëjetesës në Ballkan dhe Shqipëri, ku jetojnë besime dhe elementë të ndryshëm etnikë”, është shprehur Çevik.

Ambasadori Atay, duke folur në ceremoninë e hapjes, tha se TIKA ofron shërbime të rëndësishme në fushën e kulturës me qendra të tilla dhe shtoi se një nga synimet e tyre si ambasadë është të mbështesin zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Në fjalën e hapjes, Halilaj u ndal në ndikimin e qendrës në fjalë në jetën e të rinjve dhe falënderoi Türkiyen dhe TIKA-n për ngritjen e qendrës rinore.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Gurra, në fjalën e tij falënderoi Türkiyen dhe TIKA-n për mbështetjen.

Nga TIKA është mundësuar rikonstruksioni, mobilimi dhe pajisja me vegla muzikore, kompjuterë, libra dhe sisteme zëri. Qendra do të jetë pjesë e qendrës kulturore të Bashkisë së Kukësit.

Gjatë vizitës në Kukës, nënkryetari i TIKA-s, Çevik, ambasadori Atay dhe zyrtarët e tjerë u takuan edhe me kryebashkiakun e Kukësit, Halilaj.

TIKA ka realizuar qindra projekte në Shqipëri në sektorë të ndryshëm, si në shëndetësi, arsim, bujqësi, trashëgiminë kulturore dhe në sektorë të tjerë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu